Aplikacion
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas paralajmërimeve për një rritje të çmimeve të naftës në vend, duke e lidhur këtë me tensionet nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Ai akuzon operatorët e tregut të karburanteve për përpjekje për të përfituar në mënyrë të padrejtë, duke i cilësuar veprimet e tyre si abuzive.
Braçe thekson se çmimi i naftës ka qëndruar i pandryshuar për një vit të tërë, pavarësisht luhatjeve në bursat ndërkombëtare dhe ndryshimeve të kursit të dollarit dhe euros.
Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar çmimin vetëm për shkak të ngjarjeve ndërkombëtare, siç po përpiqen të justifikojnë disa operatorë.
“Kur abuzimi bëhet i dukshëm, reagimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe efektiv. Përndryshe, qytetarët dhe shteti do të paguajnë kostot, ndërsa këta do të përfitojnë pa drejtësi”, tha Braçe në rrjetet sociale.
Ai rikujtoi gjithashtu se Bordi i Hidrokarbureve, i ngritur gjatë kohës së luftës në Ukrainë, mbetet një mekanizëm ligjor që mund të përdoret për të frenuar çdo tentativë abuzimi në tregun e karburanteve, nëse vepron në mënyrë profesionale dhe në shërbim të interesit publik.
Reagimi i plotë:
Si, si, do rrisni çmimin e naftës??
Karteli i hidrokarbureve që vepron si shoqatë, paska thënë që do rrisë çmimin me 20 lekë për 48 orë, deri në 40 lekë për litër në vijim!
Arsyeja e tyre – bursa!!
Kur i toleron, këta i bëjnë të gjitha, të bëjnë edhe për budalla!
Çmimi i naftës sot në pompë është 173 lekë. Është i tillë prej një viti e nuk ka lëvizur një ditë të vetme!
Ndryshoi bursa, u rrënua dollari e euro dhe çmimi i këtyre nuk ndryshoi, zero, asnjë qindarkë!
Tani çmimi do ndryshojë për 48 orë nga lufta?!
Ua thashë edhe kolegëve të mi në Partinë Socialiste sot në mëngjes: kur abuzimi ulëret, kundërmasa duhet të jetë e shpejtë dhe efektive!
Ndryshe ne do paguajmë abuzimin si qytetarë e si qeveri, këta thjesht do pasurohen!
E fundit gjë;
Bordi i Hidrokarbureve që u përdor gjatë kohës së luftës në Ukrainë – nuk është shpallur antikushtetues ndonjëherë!
Nëse do jetë profesional dhe me fokus interesin publik, mund të jetë një nga kundërmasat ndaj abuzimit./ Zoom.al