zoom

Ekonomi

Katërfishimi i të ardhurave nga taksa lokale zbulon përmasat e frikshme që po merr ndërtimi

Katërfishimi i të ardhurave nga taksa lokale zbulon përmasat e frikshme që po merr ndërtimi

Të dhënat e sakta mbi sipërfaqen që po jepet për leje ndërtimit po bëhen të pakapshme pasi INSTAT nuk përfshin në raportim lejet e dhëna nga Këshilli Kombëtar Territorit, i cili vitet e fundit mori atributet për lejet e kullave të larta dhe fshatrave turistike.

Por përmasa e vërtetë e lejeve reale të ndërtimit u zbulua së fundmi nga rritja rekord e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në buxhetin e shtetit që vilet ndaj lejeve të reja.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat nga taksat lokale, që përfaqësohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (TNI) për periudhën janar- shkurt 2026 arritën një rekord historik duke kapur shifrën prej 11,2 miliardë lekë.

Të ardhurat nga kjo taksë  janë më shumë se katërfishi i vitit paraardhës (2,586 milionë lekë në 2M-2025) dhe thyen çdo rekord të 30 viteve të fundit. Madje është  dy herë më e lartë se arkëtimet e vitit 2022 ku ishte rekordi i lejeve në të ndërtimit me 2.6 milionë metër katror.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila paguhet nga ndërtuesit në masën 8% të vlerës së shitjes për çdo metër katror të lejuar në kryeqytet dhe nga 4-8% në rrethe, shërben si pasqyra më e saktë e volumit të ndërtimeve të reja. Të ardhurat nga kjo taksë ishin aq të larta në dy-mujorin e parë, saqë kontribuuan në 63 për qind te të ardhurave shtesë që arkëtoi buxheti në këtë periudhë.

Të dhënat historike tregojnë se 70 për qind e lejeve të ndërtimit jepen në Tiranë. Viti 2026 ka dyfishuar edhe kulmin e vitit 2022, duke treguar se Tirana po kalon një fazë intensive betonizimi që nuk po deklarohet plotësisht në të dhënat të INSTAT i cili nuk pasqyron fluksin e lejeve nga KKT-ja./Monitor

Postime të lidhura