zoom

Ekonomi

Braçe denoncon çmimet e larta në Tiranë: Abuzim në tregun e perimeve, domatet po tregtohen deri në…

Braçe denoncon çmimet e larta në Tiranë: Abuzim në tregun e perimeve, domatet po tregtohen deri në…

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ndaj rritjes së ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore në Tiranë, duke e cilësuar situatën si një abuzim të hapur në dëm të konsumatorëve.

Përmes një reagimi publik, ai ka evidentuar se në disa zona të kryeqytetit, përfshirë edhe pranë shkollës “Vasil Shanto”, çmimet e frutave dhe perimeve kanë pësuar rritje të konsiderueshme. Sipas tij, domatet po tregtohen nga 300 deri në 340 lekë për kilogram, ndërsa produktet e importit arrijnë edhe më lart, deri në rreth 640 lekë/kg.

Braçe thekson se shtrenjtimi nuk ndalet vetëm te domatet, por përfshin edhe produkte të tjera si specat dhe bizelet, të cilat po shiten me çmime që, sipas tij, janë jashtë çdo norme të arsyeshme.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me mungesën e faturave tatimore në disa pika shitjeje, çka sipas deputetit tregon për mungesë kontrolli dhe hapësirë për abuzime në treg.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për të verifikuar situatën dhe për të marrë masa konkrete, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve./ Zoom.al

Postime të lidhura