zoom

Lajme

Plas në PS për Ballukun mes Elisa Spiropalit dhe Taulant Ballës

Plas në PS për Ballukun mes Elisa Spiropalit dhe Taulant Ballës

Tensione brenda Partisë Socialiste lidhur me çështjen e imunitetit të Belinda Balluku. Elisa Spiropali dhe Taulant Balla janë përplasur sot publikisht duke mos e fshehur më atë që po zien prej ditësh në radhët e socialistëve.

Debati nisi pas mungesës së Spiropalit në seancën parlamentare ku u votua kundër heqjes së imunitetit të Ballukut.

I pyetur nga mediat, kryetari i grupit parlamentar, Balla u shpreh se çdo vendim në lidhje me mungesën e Spiropalit në seancë do të merret në konsultim me grupin parlamentar të PS-së, duke tentuar kështu të heqë edhe peshën e përgjegjësisë nga vetja.

“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje,”- deklaroi Balla.

Spiropali nuk vonoi dhe iu përgjigj me një status në Facebook, duke iu drejtuar në emër dhe duke e sfiduar për diskutime të hapura e të plota në grupin parlamentae.

“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.

Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.

Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.

Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut,”- tha Elisa Spiropali.

Debati është jo vetëm provë e një lufte të brendshme mes Spiropalit dhe Ballukut apo e pakënaqësisë së Spiropalit për shkarkimin nga detyra e Ministres së Jashtme, por tregues se me vendimin e Ramës për të mos i hequr imunitetin Ballukut, situata në PS nuk është më e njëjta. / Zoom.al

Postime të lidhura