Aplikacion
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas debatit të tensionuar që ndodhi një ditë më parë në mbledhjen e Grupit të Partisë Socialiste, ku u përfshinë kryeministri Edi Rama dhe tre ish-ministrat: Elisa Spiropali, Damian Gjiknuri dhe Ervin Hoxha.
I pyetur nëse ka përçarje brenda socialistëve, Peleshi e ka quajtur këtë thashetheme dhe ka theksuar se nuk lidhen me zhvillimet politike në thelb.
“Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme. Këto janë diskutime të gjata dhe të shëndetshme dhe nuk mund të quhen përçarje,” tha Peleshi nga Korça.
Ai shtoi se pyetjet mbi komente specifike ose gjeste të individëve nuk kanë lidhje me substancën politike: “Nëse i referoheni thashethemeve unë nuk mund të komentoj gjëra pa kontekst politik.”
Debati me Spiropalin
Në Pallatin e Brigadave, gjatë takimit pati replika me tone të ashpra mes deputetes Elisa Spiropali dhe kryeministrit Rama.
Gjatë fjalës së ministres për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, Spiropali është parë duke qeshur, gjest që Ismaili e ka kritikuar: “Zonja Spiropali s’ke pse qesh.” Spiropali i është përgjigjur: “Urdhëro?” dhe i ka kërkuar ministres të tregojë më shumë respekt ndaj deputetëve. Në ato momente, Rama i ka thënë Spiropalit: “Ti mos e hap gojën fare, fare.”
Në mbledhjen e sotme, Spiropali dhe deputeti Erion Braçe u panë të ulur në rreshtin e fundit, pas kurrizit të kryeministrit.
Përplasje me Gjiknurin dhe Hoxhën
Takimi me dyer të mbyllura ka treguar gjithashtu tension edhe me dy ish-ministrat e tjerë. Rama iu drejtua Damian Gjiknurit, duke e kritikuar për regjistrim të bisedave private: “Fik telefonin se e ke zakon që regjistron dhe i nxjerr gjërat që regjistron.”
Më pas, kryeministri ironizoi edhe ish-ministrin Ervin Hoxha, për diskutime jashtë ambienteve zyrtare: “Po ti do vazhdosh akoma të bësh llafazanllëqe nëpër tavolina komisariatesh?”
Ky debat tregon për klimën e tensionuar brenda radhëve të mazhorancës, megjithatë Peleshi theksoi se diskutimet e tilla janë pjesë e demokracisë së brendshme të partisë dhe nuk përbëjnë përçarje.