Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për përplasjet që janë zhvilluar pak ditë më parë në mbledhjen e grupit të PS-së.
Zoom.al raportoi se një debat i ashpër ndodhi mes Ramës dhe Elisa Spiropalit, duke thyer qetësinë e mbledhjes së përbashkët të Grupit Parlamentar dhe Qeverisë.
Rama, gjatë një takimi me banorët e njësisë 14 ka pranuar që ka pasur një debat, ndonëse më tej shtoi se në disa orë mbledhje, asnjë media nuk raportoi çështjen e tjera që u diskutuan, por vetëm debatet mes tyre.
“Ka gjëra më të rëndësishme për të raportuar se çfarë i thashë unë njërës apo tjetrës. Në një mbledhje ku folëm për pronat, shërbimet në kadastër, për skenarët se si duhet të shikojmë skenarët në territor. Asnjë nga këto nuk u raportua, shikojini me kujdes,”- tha Rama./ Zoom.al
Sipas dëshmive për Zoom.al nga brenda mbledhjes, gjithçka ka nisur kur Rama, i cili po mbante një fjalim kritik mbi angazhimin e strukturave, ka ndaluar për t’iu drejtuar Spiropalit me një ton ironik. “Çfarë ke që qesh?” – i është drejtuar ai, duke lënë të kuptohet se e qeshura e saj ishte jashtë kontekstit serioz të diskutimit.
Por, ndryshe nga ç’ndodh rëndom në këto mbledhje ku heshtja pason vërejtjet e liderit, reagimi i Spiropalit ka qenë i menjëhershëm dhe pa dorashka. “Çfarë ke për të thënë, thuaje këtu!”, mësohet t’i jetë përgjigjur ajo, duke kërkuar ballafaqim të hapur.
Ky moment ka shkaktuar jo pak habi mes të pranishmëve. Për një kohë të gjatë, Spiropali është konsideruar si zëri më i fuqishëm i Ramës në Parlament dhe në media, duke u pozicionuar gjithmonë në vijën e parë të mbrojtjes së aksioneve qeveritare.
Por shkarkimi nga posti i Ministres së Jashtme duket se ia ka mprehur shikimin Spiropalit, e cila te Rama nuk shquan më Skënderbeun e dikurshëm.
Por veç arsyeve personale që ka Elisa, përplasja tregon se figurave kryesore të partisë duket se u ka sosur durimi me stilin e shkopit dhe karotës që përdor Rama në mbledhje të mbyllura.
Tensioni Rama-Spiropali mund të jetë vetëm maja e ajsbergut e një klime më të rënduar, ku me skandalet e korrupsionit që kanë shpërthyer me Ballukun dhe AKSHI-n dhe me marrjen në mbrojtje të tyre nga Rama, nervozizmi po fillon të dalë jashtë kontrollit./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari