zoom

Lajme

Nga “Skënderbeu” te “mbreti lakuriq”, përse Spiropali vendosi t’u shpallë luftë të ngjashmëve të saj në Partinë Socialiste

Nga “Skënderbeu” te “mbreti lakuriq”, përse Spiropali vendosi t’u shpallë luftë të ngjashmëve të saj në Partinë Socialiste

Ishte e paimagjinueshme deri pak kohë më parë të çoje qoftë edhe një moment në mendje se arroganca, servizilmi zhdukja e demokracisë së brendshme apo meritokracisë brenda partisë në pushtet, do të kishte si kritik një prej njerëzve më të bindur ndaj sistemit që ka ndërtuar Edi Rama.

Kjo metamofrozë i ka ndodhur Elisa Spiropalit. Me një qëndrim që duket më shumë si inat personal dhe jo si mendim i njeriu të lirë, ish -ministrja e Jashtme po sulmon hapur fenomenet që kanë karakterizuar 3 mandatet e pushtetit të Edi Ramës dhe po dominojnë edhe të katërtin që në nisje.

Përmes një reagimi në Facebook, Elisa që deri dje shërbente si dorashka e duarve të zhytyra në korrupsion të Edi Ramës, sot është shndërruar në kirurgen që po i bën autopsinë një sistemi, që sipas saj po lëngon nga arroganca, mungesa e meritokracisë dhe mbi të gjitha, nga frika.

Elisa është e bindur. Modeli që ka krijuar Edi Rama është i bazuar te bindja, jo te merita. Konstatimi, fatkeqësisht është shumë i vonuar prej saj. Megjithatë, është i mirëpritur, edhe pse sot gjithkush mund të pyesë, po ajo vetë, si i ngjiti shkallët e pushtetit, ngaqë qe e bindura kryesore e Edi Ramës apo ngaqë pati mertita të pamohueshme në fushën e diplomacisë.

Spiropali po na flet sot për një model që po zgjerohet frikshëm. Sistemi e Edi Ramës, -thotë ajo – nuk kërkon më të aftë, por ushtarë.

“Njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat,” shkruan ajo.

Për të kuptuar Spiropalin sot mjafton të kujtojmë se reagimi i saj vjen në një kohë kur drejtësia po troket në dyert e larta të ekzekutivit dhe kur lodhja nga pushteti dhe korrupsioni galopant ia kanë ulur besueshmërinë qeverisë në elektorat në pikën më të ulët.

Në këtë rrëmujë, Spiropali duket sikur po lan duart ky pushtet i korruptuar dhe po përpiqet të ndërtojë një profil të ri të një politikanie që reflekton, ndonëse reflektimi e ka bërë të bëjë një kapërcim të madh. Nga dikur që bërtiste se Edi Rama ishte Skënderbeu i shqiptarëve, sot po bërtet se “mbreti është lakuriq”.

Nëse ky është një akt rebelimi individual apo fillimi i një çarjeje më të madhe brenda Partisë Socialiste, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt. Më shumë se “Skëndërbeut” të saj, Spiropali u ka shpallur luftë të paaftëve që i rrinë nga pas atij dhe atyre që rezultuan të jenë ushtarë më të bindur se ajo, duke i zënë vendin dhe duke i marrë privilegjet që ajo gëzonte prej vitesh./ Zoom.al

Postime të lidhura