Aplikacion
Për këdo që shpreson se pushteti i Edi Ramës mund të dobësohet sadopak nga kritikat e Elisa Spiropalit, historia sjell fakte pesimiste. Ajo që po ndodh sot në Partinë Socialiste është e parashikueshme. Aty po përsëritet i njëjti skenar ku qejfmbeturit nga vendimet e kryetarit e sulmojnë atë tërthorazi për keqqeverisje, për standarde jo demokratike apo se ka mbledhur rreth vetes njerëz të paaftë.
Elisa Spiropali është socialistja e radhës që ka nisur të recitojë refrenin e atyre që dalin nga rreshti, me akuza që deri dje i quante si shpifje të opozitës. Fatkeqësisht, kritikat e saj ndaj pushtetit nuk janë ndonjë akt revolte parimore, por pasojë e drejtpërdrejtë e humbjes së peshës së saj në ekzekutiv.
Kjo qe e vetmja peshë që e mbajti Spiropalin në kupolën e pushteti për më shumë se 1 dekadë. Ajo nuk është ndonjë makineri votash, nuk ka ndonjë zonë specifike elektorale ku të gëzojë mbështetjen të gjerë, çka do t’ia kishte forcuar pozitat në PS.
Përkundrazi. Në zonat ku ajo ka qenë e deleguar apo kandidate, rezultatet kane qenë zhgënjyese. Në këtë kontekst, ata që shpresojnë se Spiropali mund ta trondisë mazhorancën, do të duhet të kenë në konsideratë peshën e saj politike.
Valenca politike matet me numra dhe numrat e Spiropalit, për ironi, janë të kuq, në kuptimin e humbjes.
Kur u dërgua si e deleguar në Qarkun e Shkodrës, rezultati ishte historik për keq. Për herë të parë, Partia Socialiste humbi dy bashki që i konsideronte bastione të saj, Pukën dhe Fushë Arrëzin. Ndërsa fitorja e Shkodrës i atribuohet peshës dhe menaxhimit të Benet Becit. Për ata që e kujtojnë fushatën e vitit 2023, Benet Beci mbajti distancë me të dërguarit e PS.
Në total, humbja e dy bashkive në qarkun e kryeqendrës së veriut mbetet e shënuar në faturën politike të Spiropalit. Por Shkodra nuk është e vetmja që tregon se ç’peshë politike ka realisht të Spiropali.
E dërguar në një terren të vështirë si Kavaja, ajo nuk arriti të prodhonte asnjë surprizë, përveç një humbjeje të thellë me rreth 3 mijë vota diferencë.
E vetmja fitore që i vendoset në CV është Kamza. Por edhe këtu, e vërteta është ndryshe. Kamza u fitua nga Rakip Suli, i cili ka treguar se fiton njësoj si me Spiropalin, ashtu edhe kur e deleguar ishte Lindita Nikolla. Meritokracia në këtë rast i shkon më shumë kandidatit dhe strukturës lokale, sesa emisarëve të Tiranës.
Taulant Balla, i pyetur sot për kritikat e Spiropalit, tha se për çdo deputet do të ketë raport për përformancën në fund të sesionit. Është e qartë se Partia Socialiste do të përdorë mjetet e saj për të heshtur një zë që po del jashtë kontrollit. Por nuk është çudi që në faturën për Spiropalin socialistët t’i shënojnë asaj edhe humbjet e mësipërme.
Gjithësesi, ajo që po ndodh është ironike në të dyja frontet. Spiropali po sulmon sistemin që e mbajti në pushtet për 13 vjet si aktore kryesore dhe kujtohet për parimet vetëm pasi Rama i tregoi derën e qeverisë, ndërsa Partia Socialiste po e kërcënon t’i vërë në peshore humbjet e njëpasnjëshme elektorale për t’i treguar valencën e saj reale politike.
Sot, në peshoren e bilanceve, si pesha politike, ashtu edhe kritikat e Spiropalit duken anemike, sepse Spiropali po përpiqet ta heqë veten si viktimë të një sistemi ku vetë ka qenë arkitekte kur në fakt është viktimë e veprimeve të saj. Për pasojë, sot si demokratët ashtu edhe socialistët e zhgënjyer e kanë të vështirë të besojnë te një shenjtore e re që po ngrihet kundër Ramës, kur për 13 vite me radhë ajo ka bërë mëkataren në kupolën e pushtetit. Aq më tepër, në sytë e socialistëve, ajo nuk arriti t’ia heqë kurrë “damkën” vetes si Mjaft-iste, njësoj si Erion Veliaj. / Nga Zoom.al