zoom

Aktualitet

“S’e pranuan lidhjen”- Nga fejesa, ndarja dhe krimi i 3-fishtë, rrëfimi i Rozalinda Plakut: Pashë babain mbuluar me gjak

“S’e pranuan lidhjen”- Nga fejesa, ndarja dhe krimi i 3-fishtë, rrëfimi i Rozalinda Plakut: Pashë babain mbuluar me gjak

Është zbardhur dëshmia e Rozalinda Plakës, ish-të fejuarës së Refit Buzit, i cili tre ditë më parë vrau prindërit e saj dhe më pas e mbajti peng për disa orë, përpara se t’i jepte fund jetës.

Rozalinda ka rrëfyer detaje nga marrëdhënia e saj me Buzin, arsyet që çuan në ndarjen e tyre dhe momentet e tmerrit gjatë ngjarjes së rëndë.

Sipas saj, lidhja kishte nisur disa vite më parë, ndërsa fejesa ishte shpallur në vitin 2020. Megjithatë, problemet në marrëdhënie e çuan atë drejt vendimit për t’u ndarë në vitin 2024. Rozalinda ka deklaruar se Refiti nuk e kishte pranuar ndarjen, ndërsa ka përmendur si arsye të vendimit të saj jetën e çrregullt të tij dhe vështirësitë në marrëdhënie.

“Në vitin 2020 kemi shpallur fejesën dhe kemi krijuar hyrje-dalje familjare. Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem nga ai, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ka qenë sepse ai kishte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua”, ka deklaruar ajo.

Rozalinda ka treguar gjithashtu se prindërit e saj kishin qenë në dijeni të problemeve në këtë marrëdhënie dhe se nuk e kishin mbështetur lidhjen që në fillim.

“Këto gjëra i dinin edhe prindërit e mi, të cilët nuk kanë qenë dakord për këtë lidhje që në fillim”, është shprehur ajo.

Duke folur për momentin e sulmit në banesë, Rozalinda ka rrëfyer se ishte në gjumë kur dëgjoi një zhurmë të fortë, të cilën e përngjau me një krismë arme.

“Kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, ndërsa prindërit e mi kanë qenë në dhomën e tyre. Kam dëgjuar një zhurmë të fortë që më është dukur si krismë arme dhe kam dalë në korridor për të parë se çfarë kishte ndodhur”, ka treguar ajo.

Sipas dëshmisë, në korridor ajo ka parë Refit Buzin me armë në dorë dhe babain e saj, Kosta Plakën, të shtrirë në tokë.

“Kur dola kam parë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë si ato të gjahut në dorë, si dhe kam parë babain tim Kosta Plaka të shtrirë përmbys te hyrja e dhomës, i mbuluar me gjak”, ka deklaruar Rozalinda.

Ajo ka rrëfyer se ka tentuar t’i marrë armën autorit, por situata është përshkallëzuar. Sipas saj, Buzi e ka kërcënuar, e ka goditur dhe më pas e ka nxjerrë me forcë nga banesa.

“Unë i kam kapur armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘Do t’ju vras të gjithëve’. Më shtyu dhe më qëlloi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty jam plagosur me copa xhami në trup”, ka treguar ajo.

Më tej, Rozalinda ka rrëfyer se është marrë me forcë dhe është larguar nga banesa së bashku me të.

“Më mori me forcë dhe më hipi në makinë. Momenti kur më mori nga shtëpia deri kur kam hipur në makinë nuk më kujtohet, sepse kam qenë shumë e tronditur”, ka deklaruar ajo.

Gjatë negociatave me policinë për dorëzimin e tij, sipas dëshmisë së Rozalindës, është zbuluar edhe një tjetër detaj. Ajo ka treguar se Buzi ishte zbathur dhe gjatë komunikimit me autoritetet kishte deklaruar se këpucët ia kishte dhënë asaj.

Sipas saj, gjatë negociatave prokurori e ka pyetur: “Vetëdorëzohu, pse je zbathur?”, ndërsa Buzi është përgjigjur: “I hoqa, ia dhashë… Ia dhashë asaj t’i veshë, se e mora zbathur.”

Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në tragjedinë me tre viktima.

Postime të lidhura