Aplikacion
Në botën e grupeve kriminale, një “gol” nuk është ai që shënohet në fushë, por ai që mund të të kushtojë lirinë, paratë ose edhe jetën.
Pikërisht ky është motivi që, sipas dëshmive të mbledhura në Londër, qëndron pas pengmarrjes së Nertil Buzit, i njohur si “Kid Vlonjati”.
Shqiptarë që pretendojnë se e kanë njohur nga afër Buzin thonë se ai “kishte bërë shumë gola”, një shprehje që në zhargonin e botës së krimit përdoret për të përshkruar mosrespektimin e marrëveshjeve në trafikun e drogës apo grabitjen e shtëpive të kanabisit.
Ngjarja e kishte zanafillën në fund të shtatorit 2022. Një grup kriminal me aktivitet në zonën e Manchesterit e ftoi Nertil Buzin në një hotel në Lindje të Londrës, me pretekstin e një takimi për të zgjidhur mosmarrëveshjet që lidhen me disa shtëpi kanabisi.
Por ajo që iu paraqit si një negociatë rezultoi, sipas këtij versioni, të ishte fillimi i një pengmarrjeje të mirëorganizuar.
Kur familja në Shqipëri mori telefonatat kërcënuese, sinjali nuk u ndal vetëm në Fier. Sipas kronologjisë së publikuar, policia shqiptare reagoi menjëherë dhe informacioni u përcoll me shenjimin “Sekret” drejt Drejtorisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e Shtetit.
Nga aty nisi një operacion i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre britanike. Në koordinim me Metropolitan Policedhe NCA, u lokalizua zona nga ku telefoni i Nertil Buzit dërgonte sinjal dhe jashtë hotelit u vendosën ekipe vëzhgimi.
Sipas materialit, dy agjente femra rezervuan dhoma në të njëjtin hotel për të mbledhur informacion pa ngritur dyshime, ndërsa kamerat e sigurisë dhe fotografitë e personave që hynin e dilnin u analizuan deri në identifikimin e anëtarëve të grupit.
Pasi u përcaktua dhoma ku mbahej peng Nertil Buzi, nisi hartimi i planit të shpëtimit. E panjohura më e madhe ishte nëse pengmarrësit ishin të armatosur, por nga përgjimet dhe telefonatat kërcënuese, sipas këtij rrëfimi, autoritetet arritën në përfundimin se koha po mbaronte.
“Nëse nuk do të ndërhynim në atë moment, Nertil Buzi do të ishte vrarë”, citohet një prej vlerësimeve të operacionit. Pikërisht për këtë arsye u vendos ndërhyrja e forcave speciale britanike gjatë natës, për t’i dhënë fund pengmarrjes.
Kur forcat speciale britanike i dhanë fund pengmarrjes, Nertil Buzi u dërgua menjëherë në spital. Sipas materialit të publikuar, ai ndodhej në gjendje të rënduar fizike pas ditëve të kaluara në duart e pengmarrësve.
Operacioni çoi në arrestimin e gjashtë personave, mes tyre Nelid Arapi, Xhon Guveli, Fation Arapi, Armando Brahashaj, Eduart Çepele dhe Emanuela Arapi, të cilët u përballën me akuza të ndryshme, nga rrëmbimi e burgosja e paligjshme deri te kërcënimet dhe veprat që lidhen me lëndët narkotike.
Pas rikuperimit, Nertil Buzi bashkëpunoi me autoritetet britanike dhe u vendos në një “safe house”, nën mbrojtje si dëshmitar kyç i procesit që pritej të zhvillohej në gjykatë.
Por kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një dënimi të pengmarrësve, ndodhi kthesa. Dy vite më vonë, prokuroria britanike tërhoqi akuzat kryesore për pengmarrje, burgosje të paligjshme dhe kërcënim, ndërsa pesë prej të arrestuarve u liruan. Vetëm Nelid Arapi u dënua me 16 muaj burg për posedim kanabisi me qëllim shitjeje.
Sipas artikullit, një nga arsyet e mundshme ishte se dëshmia e Nertil Buzit mund të vihej në pikëpyetje për shkak të së kaluarës së tij kriminale, gjë që do ta dobësonte çështjen në gjykatë. Si pasojë, prokurorët zgjodhën të tërhiqnin akuzat.
Në fund, operacioni që bashkoi policinë shqiptare dhe atë britanike arriti të shpëtonte pengun gjallë, por jo të siguronte dënimin për akuzat më të rënda. Një histori që, sipas këtij rrëfimi, tregon se në botën e krimit, edhe kur arrin të shpëtosh me jetë, llogaritë nuk mbyllen gjithmonë në sallën e gjyqit.