Aplikacion
Zbardhet dinamika e tragjedisë së rëndë në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ku një konflikt me pasoja fatale përfundoi me tre viktima.
Sipas informacioneve të siguruara dhe dëshmive të mbledhura gjatë hetimit, rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, ka hyrë i armatosur me armë gjahu në banesën e familjes Plaka.
Në atë moment, bashkëshortët Kosta (Arben) dhe Belere Plaka po përgatiteshin për t’u nisur drejt punës. Menjëherë pas hyrjes në banesë, autori ka qëlluar ndaj çiftit.
Kosta Plaka humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati disa orë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Pas sulmit, 35-vjeçari ka marrë me forcë 24-vjeçaren Rozalinda Plaku, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie prej disa vitesh, dhe është larguar nga banesa. Ai është drejtuar drejt zonës së Kurjanit, ku pas ndjekjes nga forcat e Policisë së Shtetit dhe negociatave të zhvilluara për disa orë, ka liruar të renë, e cila nuk ka pësuar dëmtime.
Operacioni për kapjen e autorit ka vijuar për disa orë, ndërsa efektivët e policisë kanë tentuar vazhdimisht ta bindnin të dorëzohej. Pavarësisht negociatave që zgjatën rreth shtatë orë, 35-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej dhe në fund i dha fund jetës me armën që kishte me vete.
Një marrëdhënie e nisur vite më parë mes dy të rinjve përfundoi në një tragjedi të rëndë, duke lënë pas tre viktima dhe dy familje të prekura nga një humbje e madhe.