Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë që tronditi mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën, Belere Plaka, dhe më pas u largua duke marre peng ish-bashkëshorten.
Familjarët e viktimës pretendojnë se ngjarja ishte e paralajmëruar dhe se autori kishte ushtruar prej kohësh kërcënime dhe dhunë ndaj ish-gruas, Rozalinda Plaka.
Vëllai i Kosta Plaka deklaroi se dëgjuan zhurma dhe të bërtitura nga banesa, por nuk guxuan të hynin, pasi kishin frikë se autori ishte i armatosur.
Sipas tij, autori ishte arrestuar disa herë më parë dhe se kjo ishte “vrasje të paramenduar”.
“Dëgjuam zhurma dhe të bërtitura, por kishim frikë të futeshim brenda sepse ai kishte armë. Refit Buzi e kërcënonte shpesh vajzën dhe ata kishin probleme prej kohësh. Kjo ishte një vrasje e paramenduar, na kishte kërcënuar vazhdimisht”, tha ai.
Edhe nipi i viktimës hodhi akuza se Refit Buzi ishte arrestuar më parë për kërcënimet ndaj ish-bashkëshortes.
“Refit Buzi ishte arrestuar edhe më parë për kërcënimet ndaj saj. Policia e arrestonte, por Prokuroria e lironte. Madje, në Tiranë e kishte kërcënuar edhe me armë.”
Refit Buzi ka pasur edhe më parë precedentë penalë, ndërsa mesohet se vite më parë kishte marrë peng edhe një person tjetër.
Një e afërme e familjes u shpreh se ekziston frika për sigurinë e vajzës, e cila u mor peng nga pas largimit të tij nga vendngjarja.
“Ajo është dhunuar prej tij dhe kishte urdhër mbrojtjeje. E lanë në arrest shtëpie, ndërkohë që janë fqinjë,” deklaroi e afërmja, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si ishte menaxhuar rasti.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se rreth orës 06:00, Refit Buzi dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, i cili humbi jetën në vend. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe Belere Plaka, e cila po merr trajtim në spital.
Sipas Policisë, pas krimit autori u largua me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten, duke marrë me vete edhe armën e gjahut. Forcat e policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.