zoom

Aktualitet

Hapet dogana e Kapshticës pas grevës, mbeten ende radhë të gjata në kufi

Hapet dogana e Kapshticës pas grevës, mbeten ende radhë të gjata në kufi

Pas përfundimit të intervalit të pezullimit të lëvizjes, është rikthyer qarkullimi i automjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.

Në anën shqiptare të kufirit ishin krijuar radhë të gjata me dhjetëra automjete të vogla, autobusë dhe kamionë, të cilët prisnin rihapjen e doganës greke për të vijuar udhëtimin drejt Greqisë.

Me rifillimin e punës në pikën kufitare, autoritetet nisën procedurat e përpunimit të mjeteve. Megjithatë, fluksi i lartë i krijuar gjatë orëve të bllokimit ka bërë që radha e automjeteve të mbetet ende e gjatë.

Pezullimi i përkohshëm i lëvizjes erdhi si pasojë e grevës së punonjësve të doganës greke. Autoritetet kishin njoftuar dy ditë më parë se këtë të hënë, nga ora 05:00 deri në 09:00, aktiviteti në doganë do të ndërpritej.

Pas përfundimit të grevës, kalimi në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës ka rifilluar, me përparësi për automjetet e vogla dhe autobusët.