Aplikacion
Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me Belinda Ballukun, zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, e cila aktualisht është pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së.
Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën për qasjen e kryeministrit, duke theksuar se pas kritikave të tij për “uzurpim të pushteteve” nga gjyqësori fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që po shqyrtojnë çështjen.
Sipas saj, deklaratat e përditshme të adresuara publikut nxisin mosbesim ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren si justifikim për masa erozive ndaj tij. Shoqata thekson se vendimet gjyqësore, edhe kur janë të pakëndshme për disa subjekte, mbeten legjitime, pasi gjyqtarët janë garantët e fundit të standardeve të shtetit të së drejtës.
Ajo u bën thirrje zyrtarëve të lartë të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe të shmangin çdo deklaratë apo veprim që perceptohet si ndërhyrje ose presion politik. Në reagimin e saj theksohet se ndërhyrja në punën e gjyqtarëve gjatë proceseve në zhvillim përbën cenimin më të rrezikshëm të parimit të ndarjes së pushteteve. Në komunikimin e plotë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve nënvizon se retorika e kryeministrit për çështjen e Ballukut, e cila po shqyrtohet paralelisht nga Gjykata Kushtetuese dhe gjykatat e posaçme, rrezikon të minojë besimin publik te drejtësia.
Ajo kujton se pavarësia e gjyqësorit është parim bazë i demokracisë dhe se Komisioni Europian ka evidentuar ndër vite presionet politike ndaj sistemit gjyqësor në Shqipëri. Gjyqtarët, thekson Shoqata, i shërbejnë vetëm Kushtetutës dhe ligjit dhe nuk janë të thirrur të marrin pëlqimin e publikut, por të zbatojnë vullnetin e sovranit të shprehur në aktet juridike.
Për këtë arsye, Shoqata kërkon nga zyrtarët e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të distancohen nga sjelljet që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit, duke paralajmëruar se çdo formë presioni politik synon të deformojë vendimmarrjen dhe minon rëndë funksionimin e shtetit të së drejtës.
Postimi i plotë:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme. Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.
Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.
Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit./Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit