Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga selia blu se SPAK ka ndarë çështjen e hetimeve që lidhen me ministren Belinda Balluku në dy dosje të veçanta: një për Ballukun dhe një tjetër për kryeministrin Edi Rama.
Berisha theksoi se dosja që lidhet me Ramën “nuk fle më” dhe se, sipas tij, kryeministri po përpiqet të përdorë Ballukun si “mburojë” për t’i shpëtuar përgjegjësisë.
Ai akuzoi Ramën se po tenton të ndikojë gjyqtarët përmes deklaratave publike dhe duke përdorur buxhetin e shtetit si presion.
Sipas kreut të PD-së, qytetarët duhet të jenë gati për “protestat më të fuqishme që vendi ka njohur”, me qëllim largimin e qeverisë, të cilën ai e cilësoi si “bandën më të rrezikshme që ka drejtuar ndonjëherë shtetin shqiptar”./ Zoom.al
Pjesë nga fjala e Berishës:
Edi Rama ka hallin se është në radhë pas Lubisë. E keni marrë vesh ju se është ndarë dosja në dysh. Dosja e Lubisë dhe dosja e Ramës. Nuk fle më dosja e Ramës. Dhe ai tani po bën gjithçka për të përdorur Lubinë si parzmore. Shqiptarët nuk do jenë indiferentë. Do jenë ata që do imponojnë ligjin dhe drejtësinë.
Po kështu dje, për herë të dytë, në një ndërhyrje tjetër, iu përmend gjykatësve rrogat, sikur i ka nga pronat e Surrelit, sikur i jep nga fondet e vjedhura dhe jo nga buxheti i shtetit.
Një akt pacipësie, në një kohë kur ata gjykojnë, ai përpiqet t’i kërcënojë.
Të përdorë buxhetin e qytetarëve që e ka vjedhur vetë për të këcënuar gjykatësit që kërkojnë të mbrojnë buxhetin nga hajdutët.
PD dënon me forcën më të madhe dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë, të gatshëm për protestat më të fuqishme që vendi ka njohur, për t’u ndarë përfundimisht nga kjo bandë që kombi shqiptar nuk e ka pasur kurrë në drejtim që nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot.