Aplikacion
Pas presionit të thuajse-përditshëm të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të premte të rikthejë në detyrë numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Në mbledhjen e sotme, Kushtetuesja urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025, për pjesën që ka vendosur pezullimin e ushtrimit të detyrës ndaj Ballukut.
“Pezullimi i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore nr. 118 dhe nr. 120 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ka vendosur pezullimin e ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik ndaj shtetases Belinda Balluku, do të hyjë në fuqi deri në përfundimin e shqyrtimit të ankimit nga Gjykata Kushtetuese”, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim do të publikohet edhe në Fletoren Zyrtare, duke rikthyer Belinda Ballukun në detyrë deri në vendimin përfundimtar të Kushtetueses.
Në datën 26 janar, Gjykata Kushtetuese do të mbajë një seancë publike ku do të shqyrtojë ankimimin e Edi Ramës.
Nga ana tjetër, bllokimi i pasaportës për zv/kryeministren Belinda Balluku mbetet në fuqi. Asaj i ndalohet dalja jashtë vendit përsa kohë do të jetë nën hetim dhe me statusin e të pandehurës nga SPAK.
Para se Gjykata Kushtetuese të shprehej, kryeministri Edi Rama nuk i ndali reagimet publike, duke ngritur shqetësimet se me pezullimin e Ballukut shumë punë kishin mbetur pa bërë dhe shumë akte pa firmosur.
Sipas Ramës, GJKKO ka tejkaluar kompetencat duke pezulluar ministra nga detyra, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese një interpretim për këtë rast, ku pushteti gjyqësor ndërhyn në pushtetin ekzekutiv.
Argumenti që përdori GJKKO kur vendosi masën e pezullimit nga detyra të Ballukut ishte rreziku se mund të prishte provat dhe të përsëriste veprën penale./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit