zoom

Lajme

Protesta e opozitës, Rama sulmon Berishën: Plak i lajthitur! Degjenerim, te shkuara efektivëve

Protesta e opozitës, Rama sulmon Berishën: Plak i lajthitur! Degjenerim, te shkuara efektivëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestës së zhvilluar një ditë më parë nga opozita, duke e cilësuar atë si një akt dhune të organizuar dhe të papranueshëm për një vend europian.

Në një postim në rrjetin social X, Rama i ka quajtur protestuesit e Partisë Demokratike “mercenarë”, duke theksuar se bëhet fjalë për një formë proteste që ka në thelb shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj institucioneve dhe dhunën ndaj punonjësve të policisë. Sipas tij, në Europë ka forma të ndryshme protestash dhe protestuesish, por vetëm një parti parlamentare e ka dhunën pjesë të pandarë të aktivitetit të saj politik.

Rama akuzon drejtpërdrejt edhe kreun e opozitës, Sali Berisha, si organizator të protestës, duke e cilësuar situatën si një degjenerim të pandalshëm dhe shprehje dëshpërimi.

Në fund të reagimit, kreu i qeverisë ka publikuar edhe një album fotografik nga pasojat e protestës, ku shfaqen dëmtimet e shkaktuara dhe efektivët e policisë të plagosur, të cilëve u ka uruar shërim të shpejtë.

Postimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqija të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e u lënduan nga kjo lukuni e verbër.”

Postime të lidhura