zoom

Lajme

Tensione në protestën e PD-së: Molotovë drejt Kryeministrisë, policia përdor gaz lotsjellës

Tensione në protestën e PD-së: Molotovë drejt Kryeministrisë, policia përdor gaz lotsjellës

Tensionohet situata para selisë së Kryeministrisë.

Pak sekonda pas fjalës së liderit të opozitës, Sali Berisha, protestuesit nisën të sulmojnë dhe të përplasen me forcat e policisë që kishin rrethuar Kryeministrinë.

Disa protestues hodhën molotovë drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të kontrolluar situatën. Për shkak të këtyre përleshjeve, turma u zhvendos drejt godinës së Kuvendit, duke krijuar tensione të mëtejshme në qendër të Tiranës.

Berisha, gjatë fjalimit të tij, u shpreh se protesta përfaqëson “kilometrin e fundit drejt fitores” dhe bëri apel për rininë të ngrihet në nivelin e këtij “misioni historik”. Ai e përshkroi qeverinë aktuale si një “bisha narko-diktature” dhe kritikoi kryeministrin Rama për sjelljen e tij në takimet ndërkombëtare, duke përmendur edhe ftesën në Davos.

“Sot ne jemi në kilometrin e fundit me ndihmën e Zotit, asgjë s’do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket shumë larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë vitet e fundit, ka qenë maratonë jo e lehtë. Një karvan maratonë e mbushur me dhunën e narko-shtetit. Por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vite të një përballje të egër.

Përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë. Përdori burgjet, trillimet, manipulimet, lubimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Në rrugëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne i dëshmuam shqiptarëve dhe botës që Shqipëria pa opozitë ishte turpi i tyre.

Në këtë rrugëtim, ne u ngritëm si feniksi nga hiri dhe arritëm në kilometrin e fundit si partia më e mbështetur nga shqiptarët. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narko-diktaruë. Zoti ju bekoftë”, tha Sali Berisha./ Zoom.al

Postime të lidhura