Aplikacion
Partia Demokratike ka thirrur sot një protestë kombëtare përballë Kryeministrisë, e cila do të nisë në orën 17:00. Në përgatitje të tubimit, në terren janë angazhuar 1,350 efektivë të Policisë së Shtetit për të siguruar rendin dhe qetësinë publike.
Godina e Kryeministrisë është e mbrojtur me barriera metalike për të parandaluar çdo incident të mundshëm.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë që ndodhen në kryeqytet, duke i këshilluar ata të shmangin zonën e tubimit dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar mbi situatën.
Policia ka njoftuar masat e veçanta të trafikut: është bllokuar qarkullimi dhe nuk do të lejohet parkimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Gjithashtu, nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët dytësore “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”./ Zoom.al