zoom

Aktualitet

Gazetarët përloten nga gazi lotsjellës/ UGSH: Veprim i papranueshëm nga Policia e Shtetit, duhet hetuar!

Gazetarët përloten nga gazi lotsjellës/ UGSH: Veprim i papranueshëm nga Policia e Shtetit, duhet hetuar!

Gjatë protestës së opozitës, të lënduar nga gazi lotsjellës që hodhi policia nuk mbetën vetëm protestuesit që kryen akte dhune duke hedhur molotovë dhe sende të tjera, por edhe gazetarët dhe operatorët, që ishin aty për të raportuar dhe përcjellë lajmin.

I tillë është rasti i gazetares së “Euronews Albania”, Enkelejda Mema, që u shfaq në raportim të drejtëpërdrejtë me sytë e skuqur dhe duke lotuar për shkak të gazit lotsjellës. Ajo tha se ndjen që lëkura e saj dhe sytë i djegin dhe se lotët ishin të pashmangshëm nga gazi i hedhur mes turmës, në mënyrë të papritur.

Për këtë rast ka reaguar me shqetësim edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke denoncuar veprimet e pamatura të policisë, që prekën edhe punonjësit e medias.

UGSH kërkon nga gazetarët e lënduar të denoncojnë rastet, ndërsa kritikon policinë se po i detyron gazetarët të lotojnë, edhe kur nuk po bëjnë gjë tjetër veçse punën e tyre.

Reagimi i plotë:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i tronditur nga episodet dhe imazhet e publikuara prej operatorëve dhe reporterëve të mediave, në mbyllje të protestës kombëtare të thirrur nga opozita politike e vendit, në mbrëmjen e sotme në bulevardin e madh të kryeqytetit
.Në sekuencat e publikuara, shfaqen reporterë dhe punonjës të mediave të perlotur dhe me vështirësi në frymëmarrje. Sipas reporterëve, kjo gjendje e rëndë e tyre është shkaktuar nga përdorimi i tymueseve lotsjellëse nga Policia e Shtetit, në përpjekjen për të shpërndarë masat e protestuesve.
Ky akt i rëndë ka ndodhur pikërisht dhe në pikat e vendosjes së punonjësve të mediave të cilët raportinin për mediat, protestën e opozitës.
UGSH denoncon këto lëndime të shkaktuara mbi reporterë dhe operatorë të mediave dhe punonjës të tjerë të mediave të pranishëm për shkak të detyrës.
U drejtohemi të gjithë kolegëve të lënduar dhe të prekur nga përdorimi i këtyre lëndëve, të denoncojnë seicilin rast dhe të dokumentojnë çdo episod apo incident, përmes publikimit të imazheve dhe autorëve, qofshin urdhërdhënës, qofshin zbatues.
UGSH kërkon reagimin e organizatave dhe monitoruesve të lirisë raportuese dhe lirive themelore ndaj këtyre episodeve të cilat janë të papranueshme dhe injorojnë demokracinë e shoqërisë dhe liritë e saj.
Policia e Shtetit, në këto shfaqje, ka kryer ndaj gazetarëve, veprime injoruese dhe ka dhunuar të drejtën e tyre, duke i shndërruar në reporterë që lotojnë për shkak të detyrës.
Ky cënim dhe lëndim në shëndetin e tyre është bërë prej mjeteve dhe duarve të pakontrolluara të individëve nën uniformë.
Ky rast duhet hetuar dhe përgjegjësit të vihen para përgjegjësisë ligjore!/ Zoom.al

Postime të lidhura