Aplikacion
Rozalinda Plaka, e reja që humbi të dy prindërit në tragjedinë e ndodhur në Vidhishtë, pritet të merret sërish në pyetje nga Prokuroria e Fierit në kuadër të hetimeve për ngjarjen.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, dëshmia e saj e parë, e dhënë menjëherë pas përfundimit të pengmarrjes, nuk ka qenë e plotë për shkak të gjendjes së rënduar emocionale në të cilën ndodhej.
25-vjeçarja ka deklaruar se në momentin e sulmit ishte duke fjetur. Ajo është zgjuar nga të shtënat me armë dhe, sapo ka dalë nga dhoma, ka parë të atin të shtrirë në tokë. Më pas, sipas dëshmisë së saj, ish-i fejuari Refit Nertil Buzi e ka kërcënuar me armë, e ka marrë me forcë dhe e ka futur në automjet.
Buzi është larguar më pas drejt zonës kodrinore të Kurjanit, ku e ka mbajtur të renë peng për rreth katër orë.
Paralelisht me hetimet për ngjarjen, Prokuroria e Fierit po vijon edhe procedimin penal ndaj 35-vjeçarit për veprën penale të mashtrimit.
Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë personalisht në negociatat për ta bindur Buzin të dorëzohej, ishte gjithashtu prokurori që po hetonte çështjen e mashtrimit ndaj tij.
Sipas hetimeve, Buzi ushtronte aktivitet në tregtinë e perimeve, duke u premtuar fermerëve eksportimin e produkteve në tregjet europiane. Disa prej tyre e kallëzuan penalisht, duke pretenduar se nuk ishin paguar për mallrat që i kishin dorëzuar.
Në kohën kur ndodhi ngjarja, 35-vjeçari ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi akuzohej për përndjekje ndaj ish-të fejuarës së tij, Rozalinda Plaka.
Katër vite më parë, gjatë qëndrimit në Angli, ai kishte deklaruar se ishte marrë peng nga disa bashkatdhetarë, të cilët, sipas tij, i kishin kërkuar një shumë të konsiderueshme parash në këmbim të lirimit.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë negociatave prokurori Jorgji nuk i kishte treguar Buzit se ish-vjehrri i tij kishte ndërruar jetë. Atij i ishte komunikuar vetëm se të dy bashkëshortët ndodheshin të plagosur në spital.
Megjithatë, 35-vjeçari ndiqte zhvillimet përmes telefonit celular. Rreth orës 15:00 ai ishte pranë dorëzimit, por para se të merrte vendimin u tha negociatorëve: “Prit, të shoh lajmet”. Pasi mësoi nga raportimet mediatike se ish-vjehrri kishte humbur jetën, ai refuzoi sërish të dorëzonte armën.
Rreth një orë më vonë, 35-vjeçari qëlloi veten me armë, duke i dhënë fund jetës përpara forcave të shumta të policisë që kishin rrethuar zonën.
Përplasen 4 automjete pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, raportohet për të lënduar