Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga negociatat që çuan në shpëtimin e 24-vjeçares Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng nga ish-i fejuari i saj, Refit Buzi, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Vidhishtë të Roskovecit.
Shefi i Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Koroveshaj, ka treguar se negociatat me autorin kanë qenë të gjata dhe tepër delikate, ndërsa çdo vendim është marrë me synimin për të garantuar sigurinë e vajzës.
Sipas tij, ishte vetë Refit Buzi ai që kërkoi praninë e shefit të policisë pranë automjetit ku mbante peng të renë. Autori vendosi si kusht që Koroveshaj të afrohej i vetëm dhe pa armë, kërkesë që u pranua për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
“Prioriteti ynë ishte shpëtimi i jetës së Rozalinda Plakës. Për këtë arsye pranova të afrohesha i vetëm dhe i paarmatosur, ashtu siç kërkoi autori, me shpresën se do të krijonim besimin e nevojshëm për ta bindur të lironte pengun”, u shpreh Koroveshaj.
Ai tregoi se u afrua vetëm pak metra larg automjetit, ndërsa i gjithë operacioni ndiqej nga afër nga efektivët e forcave speciale RENEA, të gatshëm për të ndërhyrë në çdo moment nëse situata dilte jashtë kontrollit.
Sipas dëshmisë së tij, në një moment autori e paralajmëroi të mos afrohej më, duke kërcënuar se do t’i jepte fund jetës së tij. Pas kësaj, negociatat vijuan me kujdes deri në momentin kur u arrit lirimi i 24-vjeçares.
Koroveshaj bëri të ditur se pas shpëtimit, Rozalinda Plaka ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike dhe kishte pësuar dëmtime fizike. Për shkak se nuk mund të ecte, ai e mori në krahë dhe e largoi menjëherë nga zona e rrezikut për t’ia dorëzuar ekipit mjekësor.
Pas evakuimit të saj, shefi i policisë u rikthye sërish pranë autorit për të vijuar bisedimet, me synimin që ai të dorëzonte armën dhe ngjarja të përfundonte pa viktima të tjera./ Zoom.al