Aplikacion
Sekretariati i Etikës në Kuvend pritet të mblidhet ditën e nesërme për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e një mase disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj. Socialistët kërkojnë përjashtimin e tij nga punimet parlamentare për një periudhë prej 60 ditësh.
Nisma vjen pas incidentit të regjistruar gjatë shqyrtimit të marrëveshjes për huanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas pretendimeve të mazhorancës, Shehaj mori një dokument të klasifikuar nga ambientet e Kuvendit, pavarësisht kundërshtimeve të punonjësve të administratës parlamentare.
Në kërkesën e depozituar, Partia Socialiste pretendon se gjatë përplasjes është dëmtuar edhe një këshilltare e Kuvendit, e cila u rrëzua teksa përpiqej të rimerrte dokumentin.
Përveç masës disiplinore në Kuvend, socialistët kanë kërkuar që rasti të referohet edhe në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për vlerësimin e mëtejshëm të ngjarjes.
Mbledhja e Sekretariatit të Etikës pritet të zhvillohet nesër, ku do të shqyrtohen pretendimet e paraqitura dhe do të merret një vendim lidhur me kërkesën për pezullimin e deputetit./ Zoom.al