Aplikacion
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar marrëveshjen për një hua prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fond që do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe blerjen e pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s.
Projektligji u votua vetëm me votat e shumicës socialiste, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike dhe aleatët e saj bojkotuan seancën. Opozita deklaroi se mbështet marrëveshjen në parim, por kundërshton procedurën e përshpejtuar të ndjekur për miratimin e saj, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi dokumentacioni i marrëveshjes përmban informacion të klasifikuar. Deputetët u lejuan të njiheshin me përmbajtjen e saj vetëm brenda ambienteve të Kuvendit, pasi nënshkruan deklaratën e konfidencialitetit.
Gjatë diskutimeve, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë kombëtare dhe një dëshmi të besimit që Shtetet e Bashkuara vijojnë t’i japin Shqipërisë. Ai theksoi se fondet do të përdoren ekskluzivisht për investime në mbrojtje dhe do të disbursohen sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike argumentoi se deputetët nuk kishin pasur mundësi të njiheshin paraprakisht me tekstin e plotë të marrëveshjes dhe kërkoi që votimi të shtyhej për disa ditë, në mënyrë që të respektoheshin afatet dhe procedurat parlamentare. Sipas opozitës, mbështetja për marrëveshjen me SHBA nuk vihet në diskutim, por duhet të shoqërohet me respektimin e rregullave kushtetuese.
Marrëveshja parashikon që fondet të aktivizohen brenda një periudhe prej 48 muajsh, ndërsa shlyerja e huasë do të realizohet në një afat deri në 12 vjet. Financimi synon të përmirësojë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe të përmbushë angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s./ Zoom.al