Aplikacion
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit nga Kuvendi të pamjeve të kamerave të brendshme të sigurisë, ku shihet punonjësja e administratës duke u rrëzuar nga shkallët teksa ndiqte deputetin Agron Shehaj.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi e cilësoi publikimin e këtyre pamjeve si një shkelje të rëndë të së drejtës kushtetuese për privatësi dhe një veprim që cenon dinjitetin e punonjëses së Kuvendit.
Sipas tij, përplasjet politike nuk duhet të përdorin punonjësit e administratës parlamentare, ndërsa publikimi i videos përbën një akt denigrues ndaj saj.
“Përveç shkeljeve të rënda të të drejtës kushtetuese për privatësi, publikimi nga Kuvendi i kamerave të brendshme të sigurisë përbën një veprim denigrues ndaj dinjitetit të punonjëses së përgjegjshme të Kuvendit,” shkruan Bardhi.
Ai shton se lufta politike nuk duhet të përfshijë keqpërdorimin e punonjësve të administratës së Kuvendit.
“Publikimi nga Kuvendi i këtyre pamjeve është dhunë ndaj një vajze, një gruaje, një nëne,” thekson Bardhi.
Në përfundim të reagimit, kreu i grupit parlamentar të PD dënon si publikimin e pamjeve ku mbeti e dëmtuar punonjësja e Kuvendit, ashtu edhe, sipas tij, shkeljen e ligjit për mbrojtjen e privatësisë nga ana e institucionit.