zoom

Aktualitet

Ekuadori, nyja e kokainës drejt Evropës/ BBC: Bandat kanë lidhje me mafian shqiptare

Ekuadori, nyja e kokainës drejt Evropës/ BBC: Bandat kanë lidhje me mafian shqiptare

Kapiteni i policisë Jean Carlos Bustamante, i cili drejton operacione kundër bandave kriminale në qytetin Duran të Ekuadorit, ka ngritur alarmin se lufta ndaj trafikut të drogës pengohet jo vetëm nga grupet kriminale, por edhe nga korrupsioni brenda institucioneve shtetërore.

Në një reportazh të BBC-së, 34-vjeçari pranon se korrupsioni ka depërtuar në radhët e policisë, administratës dhe politikës, duke u dhënë bandave avantazh në përballjen me autoritetet.

“Kemi shumë njerëz të këqij brenda njësisë sonë, brenda shtetit dhe politikës. Ka shumë persona të korruptuar që paguhen nga bandat kriminale”, deklaroi ai.

Bustamante thotë se besim të plotë ka vetëm te ekipi i tij i përzgjedhur, me të cilin zhvillon operacione të përditshme në lagjet më të rrezikshme të Duranit, ku banorët jetojnë nën frikën e bandave dhe hezitojnë të bashkëpunojnë me policinë.

Gjatë një aksioni në një zonë të kontrolluar nga banda “Los Aguilas”, efektivët bastisën një shtëpi të braktisur ku sekuestruan dy pistoleta, njëra prej tyre gati për përdorim, si dhe municione për një armë automatike.

“Bandat tani kanë dy armë më pak”, tha kapiteni, duke pranuar se bëhet fjalë vetëm për një sukses të vogël në një betejë shumë më të madhe.

“Bandat kanë shumë armë dhe shumë më tepër para sesa shteti”, shtoi ai.

Oficeri ka humbur tre miq të ngushtë gjatë përballjeve me grupet kriminale. Ai thotë se nuk ka më frikë për jetën e tij, megjithëse prindërit vazhdojnë të jetojnë me ankthin e përditshëm.

Sipas presidentit të Ekuadorit, Daniel Noboa, rreth 70% e kokainës që mbërrin në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kalon përmes Ekuadorit, duke e kthyer vendin në një nga nyjet kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës.

BBC raporton se kokaina hyn në Ekuador kryesisht nga Kolumbia dhe Peruja, ndërsa bandat vendase, të lidhura me kartelet meksikane dhe grupe të mafias shqiptare, organizojnë transportin drejt tregjeve evropiane dhe amerikane. Rrjetet kriminale përfitojnë nga kufijtë e dobët, kapacitetet e kufizuara të forcave të sigurisë dhe vija e gjatë bregdetare e vendit në Oqeanin Paqësor.

Situata e sigurisë mbetet alarmante. Sipas autoriteteve ekuadoriane, gjatë vitit të kaluar u regjistruan mbi 9.200 vrasje, duke e renditur Ekuadorin ndër vendet me normën më të lartë të vrasjeve në botë.

Megjithëse presidenti Daniel Noboa ka shpallur një ofensivë të gjerë kundër krimit të organizuar, kritikët argumentojnë se rezultatet kanë qenë të kufizuara. Arrestimi i disa drejtuesve të organizatave kriminale ka sjellë fragmentimin e tyre në grupe më të vogla, të cilat vazhdojnë të kontrollojnë territore të ndryshme.

Në një tjetër operacion të dokumentuar nga BBC, Bustamante përdori një dron për të identifikuar tre persona të dyshuar si mikro-trafikantë. Policia bastisi banesën ku ata ishin strehuar dhe gjatë kontrollit gjeti të fshehura në një vazo lulesh disa doza të drogës së njohur si “H”, një përzierje shumë e varësisëshme që përmban sasi të vogla heroine.

Sipas BBC-së, kjo substancë shitet në lagjet e kontrolluara nga bandat për vetëm 1 dollar për paketë, duke u bërë një nga drogat më të përhapura në tregun lokal.