zoom

Lajme

Ish-ministri socialist mbështet protestat: Atdheu ka nevojë për shkundje

Ish-ministri socialist mbështet protestat: Atdheu ka nevojë për shkundje

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka shprehur mbështetjen e tij ndaj deklaratës së firmosur nga 123 akademikë, profesorë dhe studiues shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë rreshtuar në krah të protestave qytetare dhe kërkesave për ndryshime demokratike në Shqipëri.

Përmes një reagimi, Bushati e cilësoi angazhimin e elitës intelektuale shqiptare në diasporë si një shenjë të rëndësishme përgjegjësie kombëtare dhe qytetare. Sipas tij, fakti që personalitete të njohura të botës akademike po kontribuojnë me ide dhe qëndrime për zhvillimet në vend tregon interesin e vazhdueshëm të diasporës për të ardhmen e Shqipërisë.

Ai theksoi se mbështetja e akademikëve për një model të ri zhvillimi politik, ekonomik dhe shoqëror përbën një mesazh të fortë për nevojën e reformimit të vendit. Bushati nënvizoi se nuk ka akt më domethënës patriotik sesa kur shtresa më e kualifikuar e kombit shpreh gatishmërinë për të kontribuar në ripërtëritjen demokratike të Shqipërisë.

Sipas ish-ministrit, vendi ka nevojë për një vizion të ri patriotizmi, i bazuar në forcimin e institucioneve demokratike, respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, krijimin e mundësive të barabarta dhe ndërtimin e një ekonomie që mbështetet te dija, inovacioni dhe konkurrueshmëria.

“Nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gadishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin. Për një patriotizëm të ri që mbron dhe promovon demokracinë në çdo sferë të pushtetit dhe shoqërisë. Në thelb të të cilit është siguria e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta për të gjithë, një ekonomi që bazohet në dije, solidariteti dhe kohezioni social.

Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm. Përkundrazi, është betejë e përditshme kolektive që kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje. Kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm. 🇦🇱❤️🦩”, shkruan Ditmir Bushati./ Zoom.al

Postime të lidhura