zoom

Lajme

Fushatë me dy fytyra: Tom Doshi sulmon për vota, por nuk e mohon bashkëpunimin me Edi Ramën

Fushatë me dy fytyra: Tom Doshi sulmon për vota, por nuk e mohon bashkëpunimin me Edi Ramën

Teksa në terren pretendon se lufton për të fituar “mandatet e veta”, Tom Doshi i PSD-së po bën gjithnjë e më të qartë se kjo betejë nuk ka për qëllim ndarjen nga Partia Socialiste, por thjesht ripozicionimin në të njëjtën linjë politike, ndoshta me më shumë peshë parlamentare.

Në një miting në Korçë, Doshi e tha qartë: “PSD nuk do të sjellë kurrë Sali Berishën në pushtet. Sërish nesër do të bashkëpunojmë me PS-në.”

“Ne jemi partia që i kemi bashkuar të gjithë votuesit, të majtë e të djathtë. Po luftojmë për mandatet tona, por jo për të sjellë Berishën në pushtet. Sërish nesër do të bashkëpunojmë me PS por nuk më vjen mirë nga mënyra se si po sillen me ju në Korçë dhe të gjithë Shqipërinë. Po bëjnë presion për vende pune, fermerëve, bizneseve. Kjo nuk është e drejtë dhe për këtë ju përgjigjeni me votë. Edhe ato që nuk janë prezent dhe punojnë në administratë që po i dhunojnë nga ana psikologjike, sot në 2025 kërkojmë të jemi pjesë e Europës, por Europë nuk që të dhunosh tjetrit për të votuar. Ne e kemi lënë pas komunizmin. Ndaj ju bëj thirrje edhe atyre që nuk janë sot këtu: Votoni PSD, jemi partia e tretë politike. Nuk kemi ardhur këtu të prishim mandatet e PS, por të marrim mandatin e PSD-së”, tha Tom Doshi.

Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi vetë ai akuzoi publikisht zyrtarë të lartë të mazhorancës, konkretisht ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu dhe drejtuesin politik të PS në Shkodër, Benet Beci.

Sipas Doshit, ministrja Koçiu po ushtron presion mbi qytetarët dhe mbi administratën në Shkodër, duke përdorur institucionet publike për qëllime elektorale. Nuk munguan as akuzat ndaj Benet Becit, për të cilin Doshi tha se është duke zhvilluar një fushatë të padrejtë ndaj mbështetësve të PSD-së dhe po shantazhon administratën vendore.

Kjo linjë e dyfishtë e komunikimit, nga njëra anë sulme të ashpra ndaj eksponentëve të PS-së dhe nga ana tjetër, deklarata për vazhdimin e bashkëpunimit me Ramën, tregon një përpjekje të Doshit për të tërhequr votat opozitare në terren, duke ruajtur ndërkohë urat me pushtetin.

Duket sikur në thelb, Doshi nuk po përpiqet të sfidojë realisht Partinë Socialiste, por po kërkon të forcojë pozitat e tij për të negociuar më mirë pas zgjedhjeve. Me deklaratën se “nuk e sjell Berishën në pushtet”, ai dërgon sinjale të qarta si për Ramën, ashtu edhe për elektoratin gri që kërkon stabilitet, jo përmbysje./ Zoom.al

Postime të lidhura