zoom

Lajme

Përplasje e hapur Rama-Doshi, shkarkohet nga Albpetrol një tjetër kandidate e PSD

Përplasje e hapur Rama-Doshi, shkarkohet nga Albpetrol një tjetër kandidate e PSD

Aleanca mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, duket se ka marrë fund.

Dy ditë më parë në Shkodër, gjatë hapjes së fushatës elektorale, Doshi sulmoi ashpër qeverinë “Rama”, duke e akuzuar për korrupsion dhe për lidhje me krimin.

Tensionet janë rritur më tej, pasi disa nga kandidatët e PSD-së janë shkarkuar nga puna pas shpalljes së listave për deputetë. Një prej tyre është Limonera Bozha, specialiste në kompaninë publike Albpetrol, e cila pasi refuzoi të jepte dorëheqjen, u pushua nga puna më 22 prill. Bozha e cilëson shkarkimin të padrejtë dhe ka bërë ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, nëpunësit e ulët dhe të mesëm të administratës nuk kanë detyrim të japin dorëheqjen për të kandiduar. Bozha tha se kishte kërkuar leje vjetore për fushatë, por në vend të saj u thirr në komision disiplinor për mungesë në punë, pavarësisht se kishte paraqitur raport mjekësor.

Ky nuk është rasti i vetëm. Edhe kandidatë të tjerë të PSD-së apo familjarë të tyre janë kërcënuar ose shkarkuar nga puna, kryesisht në qarkun e Fierit.

Në fjalimin e tij në Shkodër, Doshi akuzoi kreun e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si një të pandehur për vjedhje dhe tha se “gjysma e qeverisë aktuale është në burg ose nën hetim për korrupsion.” Ai u shpreh i bindur se PSD është shpresa e vetme për ndryshim në Shqipëri.

Përplasjet mes Ramës dhe Doshit u ndezën muajin e kaluar, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak të Shkodrës. PSD dhe PD braktisën mbledhjen, duke bllokuar miratimin e disa vendimeve të rëndësishme, përfshirë edhe një projekt për administrimin e plazhit të Velipojës.

Ndërsa në janar, kryetarja e qarkut Marina Duhani që vinte nga radhët e PSD, dha dorëheqjen.

Ajo u zëvendësua në këtë detyrë nga kryetari i grupit socialist të këshilltarëve në këshillin bashkiak, Edmond Ndou.

Më pas, dhanë dorëheqjen edhe 3 drejtorë rajonalë qe vinin nga radhët e PSD në drejtoritë e qarkut Shkodër.

Deri tani, PSD kishte bashkëpunuar ngushtë me PS-në në këshillin bashkiak, por pas prishjes së marrëdhënieve, situata politike në Shkodër dhe në rang kombëtar është përkeqësuar./ Zoom.al

Postime të lidhura