Aplikacion
Kreu demokrat Sali Berisha ka kritikuar sërish qeverinë për keqmenaxhimin e sistemit shëndetësor në vend duke ia lënë në dorë jetën e shqiptarëve dy biznesmenëve famëkeqë.
Berisha e quan dyshen Vilma Nushi dhe Tom Doshi, kompanitë e të cilëve janë nënkontraktuar nga qeveria shqiptare për ilaçe dhe shërbime “një mafie që vjedh qytetarët e sëmurë”.
Kryedemokrati denoncoi mungesën e ilaçeve jetike dhe pajisjeve diagnostikuese si Pet Scanner, ndërsa premtoi ndërhyrje të fuqishme për të rivendosur kontrollin dhe dinjitetin në shërbimin shëndetësor publik.
“Këta morën Nushin dhe Tomën, ua lanë në dorë ilaçet këtyre. Ne kishim një ligj, asnjë ilaç nuk shitej në Shqipëri nëse nuk përdorej në 2 vende të BE. Ilaçet kanë specifikat e veta, duhen për 3-4 të sëmurë, kushtojnë shtrenjtë. Por kur firma ishte këtu, bënte zbritjet, fitonte diku tjetër. Paratë vidhen nga Ministria dhe drejtoria. Është krim i shëmtuar. Sot çdo ditë u telefonojnë të sëmurëve, këtë muaj nuk keni mjekim…kemi prurë tre cikotronë një në neuokirurgji, 2 në onkologji. Pse tre? Në mënyrë që të mos ngelej vendi sepse është shumë i diagnozën dhe sëmundjen, sot asnjëri nuk funksionon. Nuk ka Pet Scanner, sot është bërë gjëja më e domosdoshme, por shqiptarët duhet të shkojnë te privati, të paguajnë shtrenjtë dhe të presin në radhë. Kjo është një mafie dhe kjo merr fund, do vendosim dorë fuqishëm,”- thotë Berisha.
Vilma Nushi, pronarja e kompanisë që fitoi koncesionin e CheckUP është nën hetim nga SPAK për abuzim me fondet dhe fryrje të faturave. KLSH ka gjetur se vonesat dhe pasaktësitë e këtij koncesioni kanë shkaktuar mjaft fatalitete./ Zoom.al