Aplikacion
Sali Berisha ndaloi këtë të hënë në qytetin e Vlorës, ku prezantoi kandidatët e koalicionit të tij për zgjedhjet vendore të 11 majit, si dhe programin që, sipas tij, do të sjellë “ndryshimin e madh”.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Berisha shigjetoi ashpër qeverinë, duke akuzuar Edi Ramën për dështime dhe vjedhje sistematike në infrastrukturë, shëndetësi dhe mjedis.
“Ju përshëndes që e përzutë, nuk guxoi të kandidojë më në Vlorë dhe kjo është një fitore morale,” tha Berisha, duke iu referuar faktit që kryeministri Rama nuk është më kandidat në këtë qark.
Kreu i PD-së zbuloi pjesë nga programi elektoral, duke premtuar mbështetje për shtresat në nevojë, ulje çmimesh dhe rritje të aksesit në shërbimet shëndetësore:
“Çdo pensionist, çdo qytetar me rrogë të ulët që nuk do jetë më kurrë nën 500 euro, çdo i papunë, çdo njeri në ndihmë ekonomike do ketë kartën e konsumatorit. Me të do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20% më lirë.”
Ai premtoi gjithashtu barazi me standardet europiane në sistemin shëndetësor:
“Brenda 4 muajve do të kemi listën e barnave që marrin italianët. Le të kushtojë sa të dojë, por shteti do mbulojë gjithçka si në Gjermani, si në Itali.”
Berisha denoncoi edhe gjendjen e spitaleve publike:
“Dhjetë ditët e fundit të çdo muaji nuk bëhen analiza në spitalet shqiptare. Nuk kemi një PET-skaner në vend me 8 miliardë euro buxhet vjetor.”
Duke u ndalur në problematikat e Vlorës, ai akuzoi qeverinë për mosfunksionimin e impiantit të ujërave të zeza dhe vjedhje sistematike përmes PPP-ve:
“12 vite me radhë Vlora derdh ujërat e zeza në det sepse nuk paguajnë energjinë për impiantin.”
Ai premtoi ndalimin e projekteve që, sipas tij, cenojnë mjedisin dhe jetesën në fshatra:
“Janë 36 fshatra në Lumin e Vlorës që duan t’ua marrin ujin. Kurrë nuk do merret uji i tyre. Uji është jeta. Pa të, ata duhet të largohen.”