Aplikacion
Gjatë një takimi elektoral të zhvilluar këtë të martë në Kamzë, kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të pazakontë për të rejat socialiste, duke u bërë thirrje që të vendosin “standarde” politike edhe në marrëdhëniet personale.
Në një fjalim me tone ironike dhe humoristike, Rama tha se vajzat që janë me djem me bindje të ndryshme politike duhet t’u vënë kusht për të votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet vendore të 11 majit.
“Të gjithë gocat që janë këtu që kanë simpatizantë ose të dashur që janë me bindje të tjera, duhet t’u vini kusht. Duhet të thonë: dëgjo, ti më pëlqen mua. Po unë të dua ty, të dua ty me status të barabartë me çdo lloj të huaji se ndryshe… Të dua qytetar europian, jo vetëm kamzali. Ajo që pres prej teje është të vish me mua dhe të votosh si mua!”
Kryeministri vijoi me një krahasim, duke e quajtur votën kundër socialistëve si një “kënetë”, ku sipas tij askush me karakter nuk duhet të hidhet.
“Le të jetë i bukur sa të dojë, i zgjuar sa të dojë, po a mund të rrihet me një çun që hidhet në kënetë më 11 maj?! Ç’e do mo?! Se është çështje karakteri kjo…”
Në përfundim, Rama shprehu besimin se më 11 maj, të rinjtë e Kamzës do të votojnë masivisht për PS dhe do të kontribuojnë që qyteti “të shkëlqejë”.