Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot bilancin e infrastrukturës rrugore të ndërtuar gjatë tre mandateve të qeverisjes socialiste, duke deklaruar se janë ndërtuar plot 1000 kilometra rrugë dhe janë hapur 40 kantiere të reja në të gjithë vendin.
“12 vjet duken shumë, por më minimalja për ndërtimin e infrastrukturës në Europë është nga 7 deri në 9 vjet”, u shpreh Rama, teksa theksoi se pas shlyerjes së borxheve të trashëguara, fokusi i qeverisë së tij u përqendrua te projektet e mëdha rrugore që lidhin Shqipërinë me rrjetin e autostradave të Bashkimit Europian.
“Me këto projekte ne do të kemi dy autostrada të kategorisë A që e lidhin Shqipërinë direkt me BE-në”, tha kryeministri, duke nënvizuar se çdo investim në infrastrukturë është në funksion jo vetëm të zhvillimit ekonomik, por edhe të rritjes së turizmit. “Një Zvicër, një Austri e Ballkanit”, shtoi ai.
Ambicia e radhës është rrjeti hekurudhor, për të cilin Rama tha se i duhet mbështetja e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit. “Është një ndryshim epokal”, deklaroi ai.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku shpalosi projektin “Kuq e Zi”, pjesë e së cilës është ndërtimi i një rrjeti hekurudhor modern me gjatësi 530 km që do të lidhë veriun me jugun e vendit. “Kjo linjë do të kalojë nga Shkodra në drejtim të Gjakovës, për t’u lidhur me Fushë Kosovën”, tha Balluku.
Gjatë një vizite në një kompani teknologjike, Rama bëri të ditur se qeveria po shqyrton mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në procesin e rishikimit të legjislacionit, duke eliminuar mbivendosjet që shpesh ekzistojnë mes ligjeve të ndryshme.