Aplikacion
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bizneseve të vogla në Tregun Industrial të Tiranës, ku prezantoi disa nga politikat ekonomike që do të zbatojë nëse Aleanca për Shqipërinë Madhështore fiton zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi rëndësinë që ka biznesi i vogël për punësimin dhe ekonominë familjare. “Do të bëjmë gjithçka për të krijuar më shumë hapësirë dhe lehtësi për bizneset e vogla, sepse ato janë themel i punësimit. Duke i lehtësuar nga barrat fiskale të tepërta, ato do të kenë mundësi të investojnë më shumë dhe të hapin vende të reja pune”, tha Berisha.
Ai premtoi gjithashtu ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë dhe ujit për këtë kategori biznesesh, si dhe rritje të pragut të xhiros pa taksa nga 140 mijë në 180 mijë euro. “Kemi përgatitur një kuadër emergjence për mbështetjen e bizneseve të vogla,” shtoi ai.
Gjatë takimit nuk munguan edhe momentet spontane.
Teksa po bisedonte me biznesmenët e tregut, njërit prej tyre i ra telefoni dhe u dëgjua të thoshte: “Jam me Sali Berishën, jam me Salën”, ndërsa Berisha iu përgjigj me humor: “Përshëndete.”/ Zoom.al