Aplikacion
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, duke e akuzuar se po ushtron presion ndaj votuesve në prag të zgjedhjeve.
Në një deklaratë për mediat, Doshi theksoi se PSD synon të marrë tre mandate në qarkun e Shkodrës dhe një tjetër në Kukës, duke u shprehur se Partia Socialiste nuk mund të formojë qeverinë pa mbështetjen e tij.
“Ne premtojmë se do të zhdukim korrupsionin. Po bëhet presion te votuesit tanë. Drejtori i Spitalit të Shkodrës thotë se duhet vënë shenjë dalluese kur votohet. Benetin e solla vetë në Shkodër kryetar, ndërsa tani na kthehet kundër,” tha Doshi.
Ai shtoi se në Shkodër PSD është një forcë e rëndësishme politike dhe paralajmëroi se së shpejti do të ketë zgjedhje të reja për Bashkinë e Shkodrës, pasi partia e tij nuk do të mbështesë korrupsionin e kryebashkiakut aktual.
“Nuk ia lëmë PD-së bashkinë. PSD nuk është kundër PS-së, por nuk mbështet ministrat e korruptuar. Vetë kryeministri ka thënë se nuk është avokat i tyre. Do t’i kthejmë dinjitetin Partisë Socialiste, duhet të ndahet nga korrupsioni,” vijoi Doshi.
Në fund, ai u shpreh i prerë për pozicionin e PSD-së në skenën politike: “Nuk sjell autobusë në mitingje. Në Vaun e Dejës jemi forcë e parë. Do të marrim një mandat edhe në Kukës. Pa ne nuk ka mazhorancë, t’i bëjë llogaritë PS-ja. Me PD-në nuk bëjmë aleancë kurrsesi.”
Protesta për Zvërnecin shtrihet edhe në Kosovë, tubim para ambasadës shqiptare në Prishtinë