zoom

Lajme

Shkodër/ Rama do një mandat më shumë, SPAK kontroll njerëzve të Tom Doshit

Shkodër/ Rama do një mandat më shumë, SPAK kontroll njerëzve të Tom Doshit

Pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një aksion të paprecedentë në Malësinë e Madhe, duke goditur një nga partitë e vogla që synojnë përfaqësim parlamentar, Partinë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit. Në qendër të hetimeve është kreu lokal i PSD-së, Ardian Hysa, i dyshuar për përfshirje në blerje votash dhe për grumbullim kartash identiteti me qëllim ndikimin e rezultatit zgjedhor.

SPAK ka siguruar përgjime dhe komunikime mes Hysës dhe qytetarëve, ku flitet për ndihmë në këmbim të votës, si dhe për marrjen e kartave ID nga qytetarë që më pas do të pengoheshin të votonin më 11 maj. Në një rast, një qytetar i thotë Hysës se ka disa votues “të vetët” por kërkon ndihmë për t’i orientuar, ndërsa në një tjetër komunikim një tjetër i shkruan se “pata ul ata me marrë kartat”. Prokuroria thekson se ka prova të mjaftueshme për të ngritur dyshime të arsyeshme për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme zgjedhore.

Sipas SPAK, Ardian Hysa dyshohet se ka qenë aktiv në fushatë duke ofruar para për vota. Dyshohet se shumat janë marrë nga përfaqësues të tjerë të PSD-së që veprojnë në qarkun e Shkodrës.

Në përgjimet zyrtare të SPAK dokumentohet një bisedë mes Hysës dhe qytetarit Florenc Tonin Kalaj, i cili i kërkon ndihmë në këmbim të votës së tij dhe të familjarëve të tij: “Perzotin tash se di une, janë pak vota e burr si i thonë, i kam te atyne që janë njerëz të mi, a kupton? Po une për Zotin e kam i fije të vështirë me shku vetë prej problemit që kam, a kupton?… Po se di nëqoftëse bëhet naj gjë, si i thonë asaj fjalës me mujt me marrë atë letrën…”

Ndërkohë, Ardian Hysa i përgjigjet shkurt duke thënë: “Flasim prej afër.”

Më tej, të dy bien dakord të vijojnë komunikimin në ëhatsapp. Por bisedat nuk mbarojnë me kaq. Në një tjetër komunikim të datës 5 maj 2025, një tjetër person i shkruan Hysës: “Aa ja itash ika prej Koplikut se pata ul ata me marrë kartat…”

Mbi bazën e këtyre të dhënave, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën për kontrolle fizike dhe të banesave për Hysën dhe një tjetër qytetar të përfshirë në komunikime, Florenc Tonin Kalaj. Objekt i kontrollit ishin celularët, dokumentet, kartat ID dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmonte hetimin. Megjithatë, pas kontrolleve nuk rezultoi të ishin gjetur materiale të paligjshme në pronat apo ambientet e tyre.

PSD ka reaguar menjëherë pas operacionit duke mohuar përfshirjen në çfarëdo veprimtari të jashtëligjshme, duke e cilësuar ndërhyrjen si një sulm të motivuar politikisht. Në një deklaratë për mediat, partia e Doshit tha se “asnjë prej anëtarëve të PSD-së nuk është përfshirë në krime zgjedhore”, dhe se kushdo që shkel ligjin duhet të përballet individualisht me drejtësinë.

Kjo ndërhyrje e papritur e SPAK vjen në një kontekst të nxehtë politik. Shkodra është një qark strategjik me 11 mandate, ku përplasjet mes forcave politike janë të forta. Në vitin 2021, PSD arriti të merrte dy mandate, duke u bërë një faktor kyç në balancën e forcave. Kryeministri Edi Rama është shprehur publikisht se synon të fitojë një mandat më shumë në këtë qark këtë vit, duke e shndërruar zonën në një fushëbetejë elektorale me rëndësi të veçantë.

Në zgjedhjet e kaluara Partia Socialiste mori 3 mandate, ndërsa Partia Demokratike mori 5 mandate dhe LSI mori 1 mandat, të Agron Çelës që kaloi më vonë me Partinë Socialiste.

Disa analistë vënë në dyshim objektivitetin e ndërhyrjes së SPAK, duke ngritur pikëpyetje se pse operacione të tilla prekin vetëm partitë e vogla ose ato jashtë pushtetit. Deri më tani, asnjë kontroll nuk është bërë në zyrat apo strukturat e Partisë Socialiste, pavarësisht raporteve të përsëritura të OSBE-ODIHR dhe vetë qytetarëve për patronazhistë, presion administrativ dhe përdorim të burimeve shtetërore në fushatë.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme raportoi se deri më datë 9 maj janë regjistruar 54 kallëzime për vepra penale të lidhura me procesin zgjedhor, përfshirë blerjen e votës, cenimin e fshehtësisë së votimit dhe pengimin e zgjedhësve. Vetëm në Tiranë janë regjistruar 14 prej këtyre kallëzimeve, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në prokuroritë e rretheve të tjera.

Rasti i PSD-së në Malësinë e Madhe hedh dritë mbi problemin e vjetër të Shqipërisë me integritetin zgjedhor. Por ndërsa institucionet e drejtësisë shfaqin vendosmëri për të goditur praktikat korruptive në procesin elektoral, mbetet për t’u parë nëse do të ketë një trajtim të barabartë për të gjitha partitë, përfshirë atë që kontrollon pushtetin./ Zoom.al

Postime të lidhura