zoom

Aktualitet

Denoncimi i fortë: Para për vota me ambulancë, karvani elektoral do të dalë natën

Denoncimi i fortë: Para për vota me ambulancë, karvani elektoral do të dalë natën

Kandidati i Partisë Demokratike në Tiranë, Belind Këlliçi, ka lëshuar një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme, duke akuzuar qeverinë dhe strukturat shtetërore për përdorim të ambulancave të spitaleve publike në funksion të blerjes së votave.

Sipas Këlliçit, informacione të sigurta kanë mbërritur pranë selisë blu, ku pretendohet se ambulancat do të shfrytëzohen sonte si mjete për shpërndarjen e parave me qëllim ndikimin në vullnetin e votuesve.

“Patronazhistët e Edi Ramës do të lëshohen sonte rrugëve duke përdorur mjetet e transportit të pacientëve dhe të sëmurëve si bankomate për blerjen e votave,” deklaroi ai, duke shtuar se ky veprim përbën një shkelje flagrante të ligjit zgjedhor dhe një akt të rëndë që cënon integritetin e procesit.

Këlliçi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të ndërhyjë urgjentisht përmes Task Forcës së zgjedhjeve dhe paralajmëroi drejtuesit e spitaleve dhe rrjetit të ambulancave se nëse përfshihen në këtë veprimtari, do të mbahen përgjegjës penalisht.

Në fund, ai rikujtoi paralajmërimet e Partisë Popullore Europiane për ndërhyrjet e mundshme të shtetit në zgjedhje, duke theksuar se këto veprime mund të dëmtojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Kush vjedh zgjedhjet e ka të shkruar qartë fatin në Uashington, Bruksel dhe Berlin,” përfundoi Këlliçi.

Postime të lidhura