Aplikacion
Partia Socialiste ka kërkuar zgjatjen e orarit të votimit deri në orën 22:00 për disa qendra votimi në Qarkun e Vlorës, për shkak të zhvillimit të garës ndërkombëtare “Giro D’Italia”, e cila do të mbahet të njëjtën ditë me zgjedhjet.
Në një shkresë zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS argumenton se mbyllja e disa akseve rrugore në qytetin e Vlorës për një periudhë prej më shumë se katër orësh do të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve drejt 55 qendrave të votimit. Sipas drejtuesit politik të PS Bledi Çuçi, kjo situatë mund të kufizojë ndjeshëm pjesëmarrjen e votuesve gjatë orëve të ditës.
PS thekson se informacioni është bazuar në të dhëna të ofruara nga Bashkia e Vlorës, e cila ka përpiluar një listë me rrugët që do të bllokohen dhe qendrat e votimit që do të preken.
Në vijim të këtij konstatimi, partia ka kërkuar që procesi i votimit në këto qendra të mos përfundojë në orarin standard, por të shtyhet deri në orën 22:00, për të garantuar që çdo qytetar të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën për të votuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë këtë kërkesë në orët në vijim./ Zoom.al