Aplikacion
Sali Berisha ka zhvilluar këtë të enjte mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Shkodër, ku ka sulmuar ashpër rivalët politikë, duke bërë thirrje të drejtpërdrejtë për mosvotimin e Tom Doshit, të cilin e quajti “Tom Pazari”.
“Vota për Tomën është e gjitha votë për Edi Ramën,” tha Berisha para qytetarëve, duke akuzuar kreun e PSD-së si një “skllav të Ramës” dhe pjesë të një aleance që, sipas tij, pengon ndryshimin dhe rotacionin politik në vend.
Lideri demokrat vijoi me kritika edhe ndaj partive të reja, të cilat i cilësoi si “maska të Ramës” dhe “vegla të regjimit që po zhbën Shqipërinë”. Ai i bëri thirrje qytetarëve të votojnë më 11 maj për kandidatin e koalicionit opozitar, Luçiano Boçi, duke e cilësuar atë dhe ekipin e tij si “krenari për Shkodrën dhe Shqipërinë”.
Berisha paralajmëroi gjithashtu strukturat që, sipas tij, mund të përfshihen në manipulimin e zgjedhjeve. “Qeveria e re do t’ju shpallë grupe terroriste. Mos guxoni të kërcënoni komisionerët apo qytetarët, do të përgjigjeni siç nuk ua pret mendja,” theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha e paraqiti 11 majin si një ditë vendimtare për orientimin europian të vendit: “Në Europë shkohet me ideale demokratike. Me Aleancën për Shqipërinë Madhështore shkohet drejt Brukselit, drejt SHBA-ve.”