Aplikacion
Media amerikane “The Week” i ka kushtuar një artikull të veçantë përfshirjes dhe përpjekjeve të ish-strategut të fushatës së Donald Trump-it në zgjedhjet parlamentare në vendin tonë.
Artikulli:
Presidenti Donald Trump duket se e sheh veten si pjesë të një ndryshimi më të gjerë global drejt populizmit. Por, ndërsa ai i afrohet krerëve të tjerë të fortë të shteteve si Vladimir Putin i Rusisë dhe Benjamin Netanyahu i Izraelit, ekipi që ndihmoi në sjelljen e lëvizjes MAGA në Shtëpinë e Bardhë ka punuar për të zgjeruar listën e autokratëve aspirantë, veçanërisht në Shqipëri.
Çfarë kanë thënë komentuesit?
Sipas Wall Street Journal, LaCivita — një strateg veteran republikan dhe ish-zyrtar i lartë i Komitetit Kombëtar Republikan — është kthyer në një figurë “befas qendrore” në skenën elektorale të këtij vendi të vogël ballkanik. Ai ka organizuar mitingje të mëdha, ka ndihmuar në hartimin e reklamave televizive dhe është shfaqur në ngjarje publike në mbështetje të Berishës, duke u bërë një shënjestër për kritikë dhe mbështetës njëkohësisht. Shumë nga mesazhet e fushatës së tij pasqyrojnë ato të Trump-it, përfshirë akuzat ndaj qeverisë aktuale për rritjen e çmimeve dhe krimin, me fokus te inflacioni.
Por LaCivita nuk është i vetëm në përpjekjen për të eksportuar markën MAGA në Shqipëri. Ai shoqërohet nga Tony Fabrizio, sondazhist i gjatë i Trump-it, dhe Paul Manafort, menaxher i fushatës së tij në vitin 2016, i dënuar në vitin 2018 për krime që përfshijnë lobim të fshehtë për ish-presidentin pro-rus të Ukrainës.
Sipas Associated Press, përqafimi që Berisha i ka bërë ekipit elektoral të Trump-it tregon vlerën që kanë këta strategë për kandidatët që kërkojnë të shfrytëzojnë ndjenjat populiste dhe të imitojnë ngjitjen e Trump-it, veçanërisht në vende ku lidhjet e perceptuara me SHBA-në shihen si avantazh i madh. Për këtë arsye, Berisha dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë përpjekur ta paraqesin punën e LaCivita-s si një shenjë mbështetjeje nga krahu i djathtë i politikës amerikane — megjithëse kjo narrativë duket gjithnjë e më e pasigurt.
Berisha ka deklaruar për A2CNN se “Rama është kukulla e George Soros-it në Shqipëri dhe në botë,” duke përsëritur një trope antisemitik të përdorur shpesh nga lëvizjet e ekstremit të djathtë, përfshirë edhe MAGA-n. Sipas Berishës, mesazhi i LaCivita është “i kristaltë”: ai dhe partia e tij janë “partneri i SHBA-së në Shqipëri.”
“Po eksportoj MAGA-n,” tha LaCivita për New York Times. “Le ta bëjmë Shqipërinë Madhështore!” Por, pavarësisht kësaj marke fushate, administrata Trump nuk ka dhënë ndonjë sinjal mbështetjeje për ndonjë parti në zgjedhjet shqiptare, dhe vetë LaCivita ka deklaruar se nuk do t’i drejtohet administratës Trump në emër të Berishës apo partisë së tij.
Përfshirja e ekipit MAGA në zgjedhjet shqiptare ndodh në një moment delikat, ndërsa kryeministri Rama shtyn përpara përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një strukturë që Trump shpesh e ka kritikuar dhe nënvlerësuar. Politico shkruan se Rama e ka bërë anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 një “pjesë kyçe të fushatës së tij,” ndërkohë që përçarjet në rritje mes Brukselit dhe Uashingtonit mund të errësojnë këtë proces.
Çfarë pritet të ndodhë?
Sipas Wall Street Journal, pavarësisht lidhjeve të tij të forta me administratën Trump dhe rrjetin e pac-eve dhe firmave konsulente të afërta me të, LaCivita nuk ka ndërmend të regjistrohet si agjent i huaj për punën e tij në Shqipëri. Ai gjithashtu parashikon se vitin e ardhshëm do të ketë më pak kohë për klientë ndërkombëtarë për shkak të angazhimit në zgjedhjet amerikane të mesmandatit.
Megjithatë, tërheqja eventuale e LaCivita-s nuk do të thotë se Berisha do të mbetet pa akses në rrethin e Trump-it. Partia Demokratike e Shqipërisë ka angazhuar së fundmi firmën konsulente Continental Strategy, me bazë në Florida, e cila punëson lobistë me lidhje të ngushta me botën e Trump-it, sipas Mother Jones. Kostoja e lartë e kësaj shërbimi po mbulohet nga fondacioni “Make Albania Great Again,” i regjistruar kohët e fundit në një adresë në periferi të New Jersey-t. Berisha po kërkon heqjen e statusit “non grata” të vendosur nga administrata Biden për korrupsion. Sipas formularëve të deklarimit të lobimit të Continental Strategy, kjo firmë ka kontaktuar tashmë Departamentin e Shtetit në emër të partisë së Berishës./ Zoom.al