Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të fundit që vijnë nga burime pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat lënë të kuptohet se vendimi për shpalljen e tij “non grata” është konsideruar si një akt politik i administratës së Joe Biden.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, vetëm një ditë para përfundimit të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Berisha tha se ky zhvillim është një sinjal i rëndësishëm që, sipas tij, tregon se administrata Trump nuk e mbështet vendimin e ndërmarrë nga ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
“Lajmi i madh që po jehon në mbarë botën është se DASH dhe administrata Trump nuk mund të pranojnë vendime politike të Biden-it, aq më tepër të Blinken, i cili është ‘non grata’ në sytë e amerikanëve,” tha Berisha.
Ai shtoi se ky qëndrim e kthen në “koshin e plehrave” një vendim që ai e cilësoi si antidemokratik dhe të motivuar nga bashkëpunimi mes Edi Ramës, George Soros-it dhe Blinken-it për të dëmtuar opozitën shqiptare.
Gazetari Fevziu e pyeti nëse ka patur një komunikim zyrtar me DASH-in për këtë çështje. Berisha tha se përgjigjja e një gazetari korrespondent në Shtëpinë e Bardhë ka domethënie të madhe, duke e përshkruar atë si një sinjal të qëndrimit të ri të SHBA-së ndaj tij.
Ndërkohë, lidhur me mundësinë për t’u lejuar hyrja në SHBA për çështje ndërkombëtare, Berisha tha se bëhet fjalë për një proces burokratik, ndërsa vendimi politik tashmë është denoncuar dhe ka nisur të rrëzohet.