zoom

Aktualitet

ALARMI/ 154 ngarkesa me mish pule me salmonelë janë shpërndarë në treg. “Anila Denaj duhet të jape dorëheqjen”

ALARMI/ 154 ngarkesa me mish pule me salmonelë janë shpërndarë në treg. “Anila Denaj duhet të jape dorëheqjen”

Drejtori i Departamentit të Bujqësisë në Partinë Demokratike, Gjok Vuksani, ka akuzuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) për neglizhencë në trajtimin e skandalit me mishin e pulës të importuar nga Brazili, i cili rezultoi i kontaminuar me salmonelë.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Vuksani ka sqaruar se Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) ka pasur mundësinë që brenda 72 orëve të nxirrte përgjigjen e analizave për mostrën e marrë nga ky lot, duke i dhënë kështu mundësi AKU-së të ndërmerrte masa për ndalimin e shpërndarjes së mishit në treg. Megjithatë, sipas tij, ky proces është vonuar në mënyrë të pajustifikueshme.

Vuksani theksoi se AKU ka kompetenca të plota për të kryer inspektime edhe nëse një biznes është i mbyllur, pasi ligji i jep autoritetin për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve. Ai gjithashtu paralajmëroi se AKU mund të përballet me padi për mosrespektimin e standardeve në marrjen e mostrës, pasi procesi kërkon kushte të caktuara që nuk janë respektuar.

“Në Durrës nuk ka zonë frigoriferike dhe kontejneri u hap për të marrë mostra, por nëse kjo ndodh në temperatura më të larta se -18°C, ekziston rreziku i kontaminimit. Për më tepër, analiza për salmonelën mund të dalë brenda 72 orëve, por ISUV ka vonuar mbi 10 ditë për ta bërë të ditur rezultatin,” – tha Vuksani.

Sipas tij, 154 ngarkesa nga loti i kontaminuar janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa AKU nuk ka marrë asnjë masë për rikthimin ose asgjësimin e tyre. Për pasojë, Vuksani tha se ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj duhet japë dorëheqjen, pasi është përgjegjëse kryesore.

“Është shpërndarje masive, nga 11 marsi-22-23-24 mars s’është marrë asnjë masë që kjo sasi të kthehet. S’kemi asnjë lloj mase, se sa sasi kanë konsumuar shqiptarët. Shfaqjen e incidencës si pasojë e konsumimit të mishit. Gjithë sistemi i Ministrisë së Bujqësisë ka çeduar, ministrja Denaj duhet të japë dorëheqjen, si përgjegjëse kryesore e mos-menaxhimit të situatës ushqimore që është pjesë e sigurisë kombëtare” – deklaroi Vuksani.

Siç ka mësuar Zoom.al, AKU është justifikuar me faktin se nuk ka mundur të kryejë kontrollin sepse ditët kur ka ndërmarrë inspektimin kanë qenë ditë pushimi. Policia ka shpallur në kërkim administratorin dhe pronarin e kompanisë AMG Food, Arben Goxha, që futi ngarkesën prej 7.8 tonësh me mish pule të kontaminuar, ka proceduar vëllain e tij dhe tre inspektorë të AKU. 2.6 ton nga kjo ngarkesë rezulton se janë shitur në treg dhe janë konsumuar nga qytetarët shqiptarë, duke shënuar kështu një prej skandaleve më të mëdha në lidhje me sigurinë ushqimore në Shqipëri /Zoom.al

Postime të lidhura