zoom

Aktualitet

Filetot e pulës me salmonelë: AMG Food, në qendër të skandalit

Filetot e pulës me salmonelë: AMG Food, në qendër të skandalit

Kompania AMG Food, e regjistruar në Shqipëri më 2 dhjetor 2019, dyshohet se qëndron pas skandalit që ka shpërthyer me futjen e mishit të pulës të kontaminuar me salmonelë.

Kjo kompani, e cila operon në fushën e importit dhe shpërndarjes së produkteve të mishit, ka importuar nga Brazili dhe ka hedhur në treg fileto pule të perkura nga bakterin i rrezikshëm Salmonella Typhimurium.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tha se kishte arritur të bllokonte një sasi, por pa dhënë detaje se për sa ton bëhet fjalë.

Por Zoom.al mësoi nga burime brenda AKU se kompania AMG Food dyshohet se ka importuar afro 8 ton fileto pule dhe ka hedhur në treg afro 3 ton. 5 të tjera janë bllokuar në magazinat e kompanisë nga AKU, pasi analizat zbuluan se mishi ishte i kontaminuar.

AKU thotë se kompania nuk ka pranuar se ka dhënë informacione të rreme për sasinë e mishit të futur në vend, ndërsa nga ana tjetër dyshohet se ajo ka falsifikuar edhe dokumentacionin. Po kështu, ajo nuk ka dhënë informacione të sakta se në cilat kompani shqiptare e ka shitur mishin. Në këtë mënyrë AKU nuk ka asnjë të dhënë se ku është treguar kjo sasi e rrezikshme, në cilat rrethe dhe në cilat supermarkete apo dyqane.

Kompania me zyrat qëndrore në Kashar – Tiranë dhe me administrator shtetasin Mondi Goxha, është kallëzuar në Prokurori dhe pritet që nga organi i akuzës të ketë veprime konkrete.

Bakteri Salmonella Typhimurium është një patogjen i njohur që mund të shkaktojë infeksione serioze tek njerëzit, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobësuar.

Konsumimi i mishit të kontaminuar mund të çojë në simptoma të rënda si diarre, ethe dhe dhimbje barku. Në këtë kontekst, veprimet e AMG Food dhe diletantizmi i AKU-së për të menaxhuar si duhet një situatë të tillë serioze, përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve shqiptarë. /Zoom.al

Postime të lidhura