Aplikacion
Mbrëmjen e së martës, Prokuroria e Posaçme informoi se kishte sekuestruar pasuri me vlerë rreth 40 milionë euro të grupit të AKSHI-t, të cilët akuzohen se kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ndër pronat dhe pasuritë e sekuestruara, krahas atyre të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanajt, bashkëpunëtorit Ermal Beqiraj, biznesmenëve Gëzim Hoxha dhe Andis Papa, si dhe ish-nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Erjon Ismailaj kryesonin ato të Ergys Agasit. Agasi rezulton me numrin më të lartë të pasurive të sekuestruara nga SPAK, plot 27 pasuri të paluajtshme, subjektin “EA Solution”, një automjet luksoz dhe disa llogari bankare.
Por si mundi Ergys Agasi, nga një funksionar publik me pagë mujore modeste, të shndërrohej në një “biznesmen” me një portofol të gjerë pronash dhe asetesh?
Ngritja e një pasurie të këtij niveli u përshkua përgjatë një trajektoreje që përfshiu një periudhe rreth shtatëvjeçare. Deri në shtator të vitit 2017, Agasi mbante detyrën e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, me një të ardhur mujore që nuk i kalonte 2,000 euro. Por krejt papritur, në fillim të vitit 2018, ai do të shfaqej në treg tanimë si biznesmen.
I akuzuar si koordinator i Ramës me grupet kriminale dhe i lakuar vazhdimisht për lidhjet me bandat, vetëm disa nga pasuritë e sekuestruara (i gjeni më poshtë) ngrenë pikëpyetje të mëdha:
-Më shumë se 6.5 hektarë pyll në Petrelë
-2,312.4 m² ndërtesa në Petrelë
-Qindra metra katrorë truall në Lundër dhe në Durrës, me ndërtesa
-Dy truall të tjerë të papërcaktuar për sa i përket sipërfaqes dhe vendndodhjes
-Truall dhe ndërtesë në Dhërmi
-Më shumë se 1 hektar tokë arë
-6 apartamente në Tiranë dhe Durrës
-7 garazhe
-Mbi 1 milion euro koleksion verash
-Llogari bankare në tre banka (të papërcaktuara)
Kush është Ergys Agasi
Djali i ish-deputetit socialist, Bardhyl Agasi u ngjit në pushtet përmes Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe më pas u afrua me Partinë Socialiste, duke mbajtur poste në administratë si drejtues i Inspektoratit të Mjedisit. Por ndërkohë që profili i tij publik mbetej i ulët, ndikimi i tij rritej në prapaskenë.
Ai është denoncuar mediatikisht edhe për emërime të njerëzve të tij në poste kyçe në shtet.
Nga ana tjetër, Arben Ahmetaj do ta akuzonte Agasin se kishte marrë kontrollin mbi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) përmes lidhjeve të tij politike dhe familjare. Dhe faktet e mbështesnin këtë akuzë: motra drejtoreshë në AKSHI, ndërsa kompania e tij, EA Solutions, ka pasur një rritje të pashpjegueshme financiare brenda një viti nga krijimi i saj dhe çuditërisht në fushën e shërbimeve të IT.
2.2 milionë euro fitime për një vit – nga vijnë këto para?

Dokumentet tregojnë se EA Solutions, kompania e Ergys Agasit, është themeluar në mars të vitit 2023 dhe ka deklaruar fitime prej 2.2 milionë euro në vetëm një vit. Kjo shifër bëhet edhe më e dyshimtë kur merret parasysh fakti se shpenzimet e saj totale vjetore janë vetëm 100 mijë euro.
Për ta thënë thjesht: kompania shpenzon rreth 8 mijë euro në muaj, por fitimet i ka 23 herë më të larta se shpenzimet. Në një treg të ndershëm, një rritje kaq e shpejtë dhe e pashpjeguar do të ishte objekt hetimi për evazion fiskal apo pastrim parash. Por në Shqipëri, kur ke lidhje me Edi Ramën, shteti nuk të sheh.
Lidhjet me bandat
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar Ergys Agasin si një figurë kyçe që lidh politikën me krimin e organizuar dhe biznesin, duke e cilësuar atë si “koordinatorin” e Ramës me grupet kriminale.
Ahmetaj ka deklaruar se Agazi ka organizuar takime mes politikës, krimit dhe biznesit, duke shërbyer si ndërmjetës mes këtyre sferave. Në një intervistë televizive për emisionin investigativ “Report” të kanalit italian RAI 3, Ahmetaj përmendi një rast konkret ku Agasi ka organizuar një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësues të krimit të organizuar, politikës dhe biznesit. Këto takime, sipas Ahmetajt, janë prova të lidhjeve të ngushta mes qeverisë dhe elementëve kriminalë.
“Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve” deklaroi Ahmetaj gjatë një bisede, me një gazetar italian.
Po kështu, gazetarja Klodiana Lala do të raportonte gjithashtu për një takim të organizuar nga Agasi në një resort luksoz në periferi të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësues të politikës, krimit dhe biznesit.
Në postimin e saj, Lala shkruajti: “Ergys Agasi është një emër i lakuar për lidhje të ngushta me njerëz të krimit. Ai ka marrë në dorë drejtimin e PS-së në Durrës, duke u kthyer në njeriun më të besuar të Ramës, pas “rënies”së Vangjush Dakos. Sot, ai kontrollon çdo qelizë të institucioneve në qytetin bregdetar. Çdo emërim në poste kyçe në administratë kalon përmes tij. Për të treguar fuqinë e tij, po ndaj një detaj: disa kohë më parë, Agasi organizoi një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku mblodhi krimin, politikën dhe biznesin.”
Në fund, Lala do ta mbyllte kështu:
“Policia ka faktet në dorë. Detajet e kësaj feste janë të dokumentuara dhe SPAK ka mundësinë t’i hetojë.”
Në këto kushte, mbetet që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të japë përgjigjet që priten. Tanimë është koha e saj të flasë./ Zoom.al