Aplikacion
Sistemi digjital i “Rilindjes”, i cili iu shit shqiptarëve si krenaria e shtetit modern, është kthyer në një makth kombëtar. Prej muajsh, platforma e-Albania dhe shërbimet e AKSHI-t janë praktikisht jashtë funksionit. Qytetarët nuk ngarkojnë dot dokumente, bizneset janë në ngërç total dhe shteti online thuajse ka rënë tërësisht.
Askush nuk zgjidh dot probleme në e-Albania më hipotekat, një tjetër problem ky i Kadastrës së Lorena Goxhobellit. Akush nuk ngarkon dot dokumentat në kohë, por duhet të presë më orë e me ditë që sistemi për të cilin janë paguar qindra miliona euro të funksionojë.
Por në një kohë kur serverat nuk punojnë, xhepat e një klani që sot është nën hetim nga SPAK vijojnë të mbushen.
Tenderat më të rëndësishëm të AKSHI-t ndër vite mbajnë firmën e ish -drejtoreshës Mirlinda Karçanaj. Paratë kanë përfunduar në llogaritë e kompanive të lidhura me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn. Të dy këta emra janë në kërkim nga SPAK për afera korruptive, por kontratat e tyre vazhdojnë të mbajnë peng funksionimin e AKSHI-t. Vetë Karçanaj është në arrest shtëpie dhe u detyrua të largohet nga detyra falë presionit ndërkombëtar te Edi Rama.
Është e pashpjegueshme sesi drejtuesja e një institucioni që ka menaxhuar qindra miliona euro në mënyrë të dyshimtë, vazhdon të qëndrojë në komoditetin e arrestit të shtëpisë për aq kohë sa faktet tregojnë se sistemet e ndërtuara në kohën e saj nuk funksionojnë dhe kur bashkëpunëtorët e saj në këto tendera janë në arrati.
Që kur SPAK e goditi AKSHI-n, duke zbuluar një prej vatrave më të mëdha të korrupsionit në vend, sistemet nisën të bien papushim. Shumë ekspertë e lidhin këtë fakt me ndikimin që mund të ketë ende Mirlinda Karçanaj në AKSHI, pasi sistemet vazhdojnë të kontrollohen nga njerëzit e saj.
Tani, si pasojë e veprimeve të saj, i gjithë shteti është në “Error 404” dhe bashkë me qytetarët e bizneset janë peng i një grupi kriminal që edhe pse i shpallur i tillë nga SPAK, vijon të ketë ndikimin e vet në institucionin më të rëndësishëm të Shqipërisë digjitale dhe të shërbimeve shtetërore. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin