zoom

Aktualitet

Policia e Shtetit mbyll sytë/ Valë krimesh në Sarandë, 5 ngjarje në 2 javë

Policia e Shtetit mbyll sytë/ Valë krimesh në Sarandë, 5 ngjarje në 2 javë

Në kulmin e sezonit turistik, qyteti i Sarandës është përfshirë nga një valë ngjarjesh kriminale që po ndikojnë ndjeshëm në klimën e sigurisë dhe në perceptimin e publikut, veçanërisht të turistëve.

Policia lokale, nën komandën e Gëzim Bashllarit që prej dhjetorit të kaluar, akuzohet për mungesë efektiviteti në përballimin e këtij fenomeni shqetësues.

Sulmet me armë dhe plagosjet kanë pasur zë nëpër media dhe rrjete sociale, duke shqetësuar publikun.

Rasti më i fundit ku u lëndua ish-efektivi Adil Veli, tregon nivelin shqetësues të situatës dhe rrezikun që vjen për turistët.

Ngjarjet e rënda:

Më 8 Korrik, në kuadër të operacionit “Impact” u arrestua në Ksamil shtetasi kosovar Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që drejtonte ky shtetas, uniformat blu gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë.

Më 11 Korrik, Policia ndaloi rastësisht në rrugën “Butrinti” një automjet luksoz tip “Porsche Panamera”, brenda të cilit ndodheshin tre të rinj nga Kamza, një prej tyre i shpallur në kërkim. Më konkretisht shtetasit Endrit Doku (27 vjeç), Ervis Cukali (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç). Endrit Doku ishte i armatosur me pistoletë, ku u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit bashkë me çantën ku kishte armën, por nuk ia doli dot, pasi u kap nga policia kufitare me skaf.

Ervis Cukali, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, rezultonte në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”, teksa u arrestua edhe për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai ishte arrestua më 28 shtator të vitit 2023, së bashku me Albi Mecinin dhe Arafat Manërkollin, pasi u kapën me një sasi prej 21 kg eksploziv dhe dyshohet se do të kryenin në atentat në Fier.

Më 17 Korrik, dy grupe përplasen me armë zjarri në mes të ditës në lagjen numër 4, në sy të pushuesve. Të plagosur mbetën dy të rinjtë nga Kamza, Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç, të cilët u dërguan tek Trauma për mjekim më të specializuar. Si autorë të krimit u shpallën dy vëllezërit Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, si edhe Erjon Canaj, 36 vjeç. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe një çantë, brenda së cilës kishte edhe një armë, e cila dyshohet se i përkiste njërit prej të plagosurve.

Më 19 Korrik, në Ksamil Albert Pashaj, pronari i “Euro Hotel” në Ksamil u dhunua me sende të forta (hunj) nga Agim Taraj (pronar i “Sunset Beach Bar”), Silvjan Sulku dhe Aldo Zeqiraj. Ngjarja ndodhi sërish në sy të qindra pushuesve, teksa pamjet me rrjedhjen e gjakut në fytyrë bënë xhiron e rrjetit.

Më 20 Korrik, në Sarandë u regjistruan të shtëna me armë zjarri në lagjen numër 4, në rrugën “Mitat Hoxha”. Ngjarja ndodhi sërish në sytë e qindra pushuesve, duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre. Gjatë konflikti, i plagosur mbeti ish-efektivi i Policisë, Adil Veli, 56 vjeç, i cili sipas autoriteve është goditur me tytën e armës së zjarrit pistoletë.

Që prej dhjetorit, Gëzim Bashllari është në krye të komisariatit, por përplasjet publike dhe shtimi i ngjarjeve të rënda i kanë hedhur dyshime mbi aftësinë e tij për të mbajtur rendin publik.

Alarmues është fakti që shumica e arrestimeve kanë ndodhur pas gjurmës nga zone turistike, dhe jo si rezultat i një strategjie sistematike policore.

Në më pak se dy javë, Saranda ribëhet skena e 5 ngjarjeve të rënda. Fakti që persona me armë të lira qarkullojnë në plazh e rrugë, dhe prania e policisë shfaqet vetëm pas çdo incidenti — tregon për dështim në parandalim.

Shtimi i kësaj serie ngjarjesh ka lëkundur besimin ndaj institucioneve dhe kapacitetit të tyre për sigurinë publike, duke vendosur presion të rritur ndaj drejtimit të Komisariatit nën Gëzim Bashllarin.

Saranda po përballet mbrëmjeve me një krizë të besueshmërisë ndaj rendit publik. Kjo kërkon reagim urgjent dhe prioritar – për të mos lejuar që “kërcitja e armëve” të kthehet në realitet.


Postime të lidhura