Aplikacion
Procesi i vetting-ut në Policinë e Shtetit ka kaluar në heshtje një nga rastet më flagrante të manipulimit të të dhënave dhe mashtrimit me vetëdije nga një zyrtar i lartë: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Agim Proda, ka kaluar filtrat institucionalë me një profil që bie ndesh me çdo standard integriteti dhe ligjshmërie.
Në Vendimin nr. 21, datë 8 mars 2024, Komisioni i Vettingut konstaton një sërë deklarimesh të rreme dhe fshehje të qëllimshme faktesh nga Proda, në kohën kur ishte në detyrën e drejtorit të Policisë së Elbasanit. Megjithatë, ai ka kaluar procesin, duke u promovuar më pas në krye të Policisë së Shtetit.
Hetimet e mëvonshme kanë zbuluar tetë mashtrime serioze, të cilat janë neglizhuar ose mbuluar nga strukturat përkatëse:
Proda ka mohuar ndonjëherë të ketë qenë nën hetim, ndërsa në fakt, më 1 dhjetor 2014, kur drejtonte Komisariatin nr. 2 në Tiranë, ka qenë objekt hetimi nga Prokuroria për shpërdorim detyre, fshehje dosjeje penale, favorizim të një autori krimi dhe kërcënim ndaj një qytetari.
Në formularin e vetëdeklarimit ai ka mohuar çdo kontakt me individë të përfshirë në krimin e organizuar, por dokumentet tregojnë se ka qenë ortak në kompaninë “Sara & Kristi Sh.p.k” me Ylli Carën, një person me precedentë të shumtë penal për trafik ndërkombëtar droge, pengmarrje dhe dhunë.
Përveç ortakërisë me Ylli Carën, Proda ka marrë prej tij një apartament me vlerë 70 mijë euro në Tiranë dhe ka kryer disa udhëtime jashtë vendit në shoqërinë e tij, në kundërshtim me deklaratat e tij zyrtare për mospërfitim pasuror nga persona të inkriminuar.
Në formularin e vetting-ut ka mohuar ndonjë masë disiplinore, ndërsa evidencat tregojnë se nga viti 2008 deri në 2014 është hetuar nga SHÇBA për lidhje me krimin e organizuar, fshehje veprash penale dhe shpërdorim detyre. Si pasojë, është transferuar nga Tirana në Bulqizë.
Proda ka deklaruar se nuk ka fshehur informacione të klasifikuara, ndërkohë që në dosjen e tij rezultojnë katër raste të tilla gjatë shërbimit në Tiranë, Lezhë, Korçë dhe Elbasan.
Raportet e SHISH dhe strukturave të brendshme të Policisë e lidhin me 53 raste mbështetjeje për rrjete kriminale, përfshirë pastrim parash, trafik droge dhe prostitucion. Ai ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të tilla.
Proda është nën hetim nga SPAK për dekonspirimin e aksioneve kundër bandave “Çela”, “Çapja” dhe “Çopja” në vitet 2021–2023 gjatë kohës që drejtonte Policinë e Elbasanit.
Ai ka gënjyer në çdo komponent të formularit të vetting-ut: ka mohuar hetime, lidhje me krimin, përfitime të padrejta dhe shkelje disiplinore, ndërkohë që të gjitha këto janë të dokumentuara tashmë.
Pavarësisht këtyre fakteve, Komisioni i Vettingut e ka kaluar Ilir Prodan në proces, pa evidentuar mashtrimet dhe konfliktet serioze të interesit. Po ashtu, as Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe as Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar nuk kanë ngritur alarme.
Këto fakte përbëjnë shkelje të rënda penale, përfshirë falsifikim dokumentesh zyrtare dhe dekonspirim operacionesh të sigurisë kombëtare. Ekspertët ligjorë theksojnë se SPAK ka detyrimin ligjor të nisë menjëherë procedimin penal, si për shkeljet në formularin e vetëdeklarimit, ashtu edhe për veprimet që kanë komprometuar operacione kundër grupeve kriminale.