Aplikacion
“Goditet grupi më i madh kriminal në vend, por drejtori i Policisë deklaron se nuk ka pasur dijeni. Në sfond, një konflikt i heshtur mes institucioneve dhe dyshime për rrjedhje informacioni.”
Tiranë, 21 maj 2025 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda deklaroi publikisht se institucionit që ai drejton nuk ka pasur asnjë lidhje me hetimin e SPAK dhe Antimafias Italiane në goditjen e grupit më të madh kriminal të trafikut të drogës në Shqipëri, që vepron në zonën e Durrës.
Megaoperacioni i përbashkët i SPAK dhe autoriteteve italiane çoi në lëshimin e 52 urdhër-arresteve për trafik droge dhe pastrim parash dhe në arrestimin e 40 personave në Shqipëri e Itali.
“Policia nuk ka pasur asnjë grup apo individ nën vëzhgim” – deklaroi Proda.
Deklarata e tij duket si një distancim nga ky operacion dhe shkarkim përgjegjësie ose si përjashtim i tij dhe strukturës që ai drejton në hetimet që kanë zhvilluar SPAK, Antimafia Italiane dhe Prokuroria e Barit.
Po kështu Proda tha që policia është “e fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar”, duke theksuar se kjo vjen “sipas direktivës qeveritare që na ka ardhur nga Ministria e Brendshme”.
Edhe kjo deklaratë e tij duket si shkarkim i përgjegjësive nga operacioni, si për të thënë se policia nuk ka gisht në atë çfarë ka ndodhur.
Deklarata e Prodës ngre menjëherë një sërë pyetjesh që kanë nevojë për përgjigje: A frikë Ilir Proda nga ky grup kriminal, saqë distancohet publikisht për të mbrojtur veten, apo SPAK qëllimisht e përjashtoi Policinë e Shtetit nga hetimi, për shkak të dyshimeve të forta se informacione të ndjeshme mund të dekonspiroheshin nëse përfshiheshin struktura të caktuara të policisë?
Të dyja këto hipoteza janë alarmante. Nëse kemi të bëjmë me një institucion të frikësuar përballë grupeve kriminale, atëherë policia rezulton të jetë në gjendjen më kritike të saj. Nëse kemi përjashtim të qëllimshëm nga hetimi për shkak të mungesës së besimit, atëherë kjo është provë e ekzistencës së një policie të kompromentuar.
Ilir Prodës nuk i kërkoi askush të distancohet nga ky operacion apo të jepte detaje të kësaj natyre. Ndaj veprimi i tij është më shumë se një shmangie e përgjegjësisë. Në konferenën për shtyp Proda u shfaq si një drejtues i një institucioni dytësor, duke shtuar më shumë dyshimet se si ai u emërua në krye të policisë së shtetit dhe kush e mbështeti atë apo vazhdon ta mbështesë, ndërkohë që krimi po bën ligjin në këtë vend dhe i vetmi institucion që po e lufton duket se është SPAK. /Zoom.al