zoom

Aktualitet

Ilir Proda bën “kokë turku” drejtorin e Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth. Po të tjerët kur do i heqë

Ilir Proda bën “kokë turku” drejtorin e Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth. Po të tjerët kur do i heqë

Edi Ramës i prodhoi një efekt të paparashikueshëm butaforia e tij për të prishur me një të kërcitur të gishtave mbi 80 bujtina e restorante në Theth, të ndërtuara nga banorët në tokat e tyre, pa leje.

Ai ua kishte dhënë vetë “bekimin” para zgjedhjeve, duke u premtuar edhe falje të gjobave. Por për të krijuar një zhurmë që ende s’është e qartë çfarë po fsheh pas saj, ai u çoi fadromat pas zgjedhjeve. Duket se inati që nisi nga Vlora i ka krijuar një situatë që po i ikën nga duart.

Me videot që kanë marrë dhënë me turistët që tregojnë prenotimet para bujtinave e hoteleve të Thethit që s’i gjejnë më, ai po fut në lojë edhe struktura të tjera, që përgjegjësia të mos i ngelet impulsivitetit të tij, por ligjit.

Ilir Proda, si ushtar i bindur i qeverisë, doli sot dhe njoftoi se ka larguar nga detyra drejtorin e policisë së Shkodrës dhe shefin e komisariatit. Vendimi i tij është sa skandaloz aq edhe provë se numri një i policisë nuk vepron sipas ligjit, por sipas orekseve të kryeministrit. Dhe ja pse.

E para, ndërtimet në Theth nuk janë bërë sot, as kur u emërua drejtori apo shefi i komisariatit, por prej shumë vitesh.
E dyta, ndërtime pa leje ka në të gjithë territorin e republikës, në Lezhë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Dibër, Kukës, Berat e çdo qark.
E treta, kur e zbuloi Proda se në Theth kishte ndërtime pa leje, kur ia tundi Edi Rama foton me kontenierët pas Kishës në video-selfien nga makina e tij luksoze?

Kështu, Ilir Proda duhet të shkarkonte sot të gjithë drejtorët e policive në rrethe se nuk kanë përmbushur detyrat e kanë lejuar ndërtime pa leje. Në fund, për shkak se drejton një kupolë të paaftësh ose të korruptuarish, duhet të ishte larguar edhe vetë.

Vendimi i sotëm e bën Ilir Proden më të vogël sesa ditën kur hyri në zyrën e drejtorit të policisë së shtetit. Ai hyri në lojë për t’i hequr sado pak peshë kreut të qeverisë, por për këdo që sheh pa optikën e militantit politik, Proda i tregoi edhe njëherë publikut se sa rrumpallë funksionon shteti edhe pas 12 vjetësh pushtet të Edi Ramës.

Në këtë teatër institucional, shteti tregon se është bërë spektator i vetes, ku ligji zbatohet në mënyrë selektive, përgjegjësia zhvendoset sipas nevojës politike dhe reagimet për të bërë gjasme drejtësi kthehen në një mekanizëm për të mbuluar gjurmët e abuzimit të pushtetit. /Zoom.al

Postime të lidhura