zoom

Aktualitet

Të akuzuar për vrasjen babë e bir, burg përjetë për Ardjan dhe Florenc Çapjan

Të akuzuar për vrasjen babë e bir, burg përjetë për Ardjan dhe Florenc Çapjan

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burg përjetë për Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekën.

Ata janë të akuzuar për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në  vitin 2012. Në fuqi mbeti edhe dënimi me nga 25 vite burg për Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani.

Ndërsa i penduar i drejtësisë Ervis Bardhi është dënuar me 15 vjet heqje lirie.

Sipas dokumenteve të gjykatës, dyshimet kryesore për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit lidhen me veprime të organizuara dhe planifikuara të një grupi kriminal, ku anëtarët akuzohen edhe për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve, si dhe përdorim të armëve të ftohta.

Ngjarja ndodhi në banesën e Gentian Beqirit, i cili në atë kohë ndodhej në arrest shtëpie dhe për të kujdeseshin dy punonjës policie që ruanin derën e pallatit. Megjithatë, duke shfrytëzuar momentin kur njëri prej policëve, u largua për një nevoja personale dhe tjetri po ushqehej, Etjen Cani dhe Elvis Bardhi arritën të futeshin në apartament.

Brenda shtëpisë, babai i Gentianit, Nezir Beqiri, u sulmua brutalisht në korridor dhe pësoi një infarkt fatal, ndërsa Gentian Beqiri u qëllua disa herë në trup dhe kokë, teksa ishte i shtrirë në krevat. Përdorimi i armës me silenciator dhe largimi i shpejtë nga vendi i ngjarjes bënë që dy policët jashtë derës të mos vënë re asgjë.

Më pas, kur punonjësit e policisë kontrolluan apartamentin, gjetën të dy viktimat të pajetë. Ngjarja shkaktoi tronditje në atë kohë dhe nxori në pah neglizhencën e punonjësve të sigurisë, të cilët më vonë u akuzuan për shpërdorim detyre.

Gjatë hetimeve, Ervis Bardhi ka dhënë informacion të detajuar për ngjarjen, duke treguar sesi ishte planifikuar dhe ekzekutuar vrasja. Sipas tij, grupi kishte vepruar me një organizim të qartë dhe me qëllim që të eliminonte Gentian Beqirin për motive të mëparshme të konflikteve midis familjeve dhe interesave kriminale./ Zoom.al

Postime të lidhura